Man.City thyen në transfertë 2-1 Fulham dhe rrëmben i vetëm kreun e Premier League. Me një ndeshje më pak, “qytetarët” e Pep Guardiola-s e shohin veten në vendin e parë, plus një pikë në raport me Arsenal.

Pas vetëm tre minutash lojë, City fitoi një 11-metërsh, për faull në zonë ndaj Alvarez. Nga pika e bardhë, Haaland u tregua i saktë duke e dërguar në 34 numrin e golave sezonal në Premier League, barazon në këtë mënyrë rekordin e Cole dhe Shearer. Festa nuk zgjati shumë pasi Carlos Vinicius barazoi shifrat në 1-1 në minutën e 15-të. Grealish ishte i pafat pak minuta më vonë teksa goditja e tij u devijua në traversë. Goli nuk vonoi shumë pasi në minutën e 36-të, Alvarz me një goditje fantastike riktheu City në avantazh.

Rezultati mbeti i pandryshuar deri në fund, me City që del me pikë të plota. “Kjo ishte një fitore e rëndësishme, por të martën luan Arsenal. Tani e rëndësishme është sfida kundër West Ham, pas asaj sfidë klasifikimi do të jetë më real”, u shpreh Pep Guadiola pas ndeshjes, ku nuk nguroi t’i thurte elozhe Julian Alvarez.

Një fitore shumë të rëndësishme siguroi këtë javë edhe Man.United. “Djajtë e kuq” mposhtën në “Old Trafford” Aston Villa me rezultatin 1-0. Golin trepikësh për ekipin e United e shënoi Bruno Fernandes në minutën e 39-të. Me këtë sukses, ekipi i Ten Hag përforcon pozitat në vendin e katërt në kuotën e 63 pikëve, dy më pak se Newcastle. “Qymyrxhinjtë” vijojnë ecurinë pozitive, këtë herë mposhtën Southampton me rezultatin 3-1.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb