Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, ishte sot i ftuar në studion e re të News24, ku komentoi zhvillimet e fundit lidhur me ndërprerjen e transmetimit të kësaj mediaje për disa ditë. Sipas tij, bëhet fjalë për një goditje të drejtpërdrejtë ndaj fjalës së lirë, që tregon qartë tendencën e një regjimi për të instaluar censurën në vend.
“Goditja ndaj News24 ishte një sulm i përqendruar për të goditur median dhe vijën editoriale të saj. Tentativa për të heshtur një zë të pavarur tregon se jemi përballë një regjimi që lufton me censurë, jo me debat e hapësirë të lirë,” deklaroi Salianji.
Ai theksoi se News24 është një media e certifikuar nga publiku dhe faktorët ndërkombëtarë për besueshmërinë dhe profesionalizmin e saj, ndërsa studioja e re simbolizon rezistencën përballë presionit dhe represionit.
“Për 10 ditë, publikut iu mohua e drejta për t’u informuar nga një burim i pavarur. Ajo çka ndodhi është një akt frikësimi – jo vetëm për News24, por një sinjal për të gjithë gazetarët dhe qytetarët e lirë të këtij vendi,” vijoi ai.
Salianji e cilësoi ndërhyrjen si një përplasje mes injorancës dhe profesionalizmit, duke shtuar se “çizmja analfabete” dhe “makineria ushtarake” nuk mund të shuajnë të drejtën e qytetarëve për informim të paanshëm.
“‘Çizmja” analfabet Ardi Veliu dhe makineria ushtarake ishin përballë gazetarëve dhe punonjësve të mediave. Injoranca përballë profesionalizmit të gazetarëve.
Ky është akti më i rëndë është akti i frikësimit, kërkohet të frikësohet jo vetëm News24 por edhe një mesazh për të gjithë njerëzit e lirë të këtij vendi.
Kjo media që është një hapësirë për ta u godit për të treguar se… ta them troç qeveria lufton tashmë me censurë, jo me hapësirë të lirë. Nuk bëhet fjalë për pronësi, por të drejtën e qytetarëve dhe lirinë e tyre për t’u informuar në mënyrë të paanshme”, tha ai.
(BalkanWeb)
