ARRSH: Ja rrugët e bllokuara sot
700 ha tokë e 26 banesa përmbyten në Fushë-Krujë
Ushtria evakuon 74 persona nga fshati Qerret
Bllokohet aksi Elbasan-Librazhd, rrëshqitje dherash në Xibrakë
Shkarje masive dherash edhe në Tiranë-Elbasan, qarkullimi me vështirësi

(Në përditësim) TIRANE- Reshjet e dendura të shiut në 48 orët e fundit kanë krijuar probleme pothuajse në të gjithë vendin. Shumë lumenj dolën nga shtrati, duke përmbytur sipërfaqe të tëra toke, rrugë e banesa, ndërsa situata paraqitet e njejtë edhe sot, ndonëse sinoptikanët lajmëruan se reshjet do vijojnë, por me intensitet më të ulët. Në ndihmë të banorëve në të gjithë vendin ka dalë ushtria. FA-të evakuuan sot 74 persona nga fshati Qerret i Durrësit, banesat e të cilëve janë nën ujë.

Në zonat problematike dhe me rrezik janë marrë masa për evakuimin e banorëve, sigurimin e argjinaturave dhe vendosjen e inerteve në pikat e përmbytjeve pranë lumenjve.

Po sot, raportohet për probleme nga përmbytjet, për rrëshqitje dherash e inertesh si dhe për shembje urash në Gramsh, Elbasan, Fushe-Kruje, Lushnje, Durres, Dibër, Kavajë, Shijak etj, ndërkohë që në Lezhë e Tiranë situata po shkon drejt normalizimit. Problematike paraqitet situata në Fushe Kruje, ku si pasojë e daljes nga shtrati të lumit Ishëm janë përmbytur rreth 700 ha tokë bujqësore, janë rrethuar nga uji 150 banesa, ndërsa në 26 të tjera uji ka hyrë në brendësi.

Mëngjesin e sotëm rinisi qarkullimi nga Elbasani në Gramsh, që u pezullua dje për shkak të shembjes së urës në Cekin. Kalimi i mjeteve po kryhet nga rruga e vjetër vetëm me një sens, ndërsa është bllokuar edhe aksi Elbasan-Librazhd si pasojë e rrëqitjes së dherave. Në Gramsh ndërkohë ka probleme edhe në disa fshatra si pasojë e daljes nga shtrati të përrenjve, gjithashtu është pezulluar mësimi në të gjitha shkollat e rrethit. Në Dibër, Drini i Zi ka ulur prurjet, ndërsa shiu është zëvendësuar nga bora. Raportohet gjithashtu për disa fshatra të izoluar si pasojë e përmbytjeve dhe shembjes së urave. Si pasojë e daljes nga shtrati të lumit Shkumbin, raportohet për përmbytje edhe në disa zona të Lushnjes e Kavajes. Ministri Panariti njoftoi se lumi Shkumbin ka çarë argjinaturën dhe është futur në fushë, ndërkohë që probleme ka edhë në hidrovorin e Tërbufit.

Në Dibër vijojnë të jenë të izoluara 4 fshatra dhe prej dy ditësh nxënësit në Bellovë janë pa mësim pasi furgoni që transporton mësuesit nuk ka mundur të kalojë përroin.

MPB: EMERGJENCAT, SITUATA DHE MASAT DERI NE OREN 21:30‏
Situata e vështirë e krijuar nga përmbytjet për shkak të reshjeve, në disa qarqe të vendit, është duke u stabilizuar gradualisht nga ora në orë. Është punuar fort që të shmanget çdo rrezikim i jetës së njerëzve, duke i zhvendosur larg zonave të rrezikshme që goditen nga përmbytjet. Nga ana tjetër po bëhet gjithçka është e mundur për të lehtësuar rrugët e largimit të ujërave, si dhe sigurimin e strukturave mbrojtëse, argjinaturave etj.

Në bazë të informacioneve të orës 21:30, situata paraqitet si më poshtë:

Qarku Durrës
Gjatë orëve në vazhdim pas ndërprerjes së reshjeve situata në qarkun e Durrësit është përmirësuar dhe niveli i ujërave në lumenjtë Erzen dhe Ishëm po shkon në shtratin e tyre. Në Bashkinë e Shijakut dhe të Sukthit, ka vazhduar puna nga fadromat e ushtrisë për pastrimin e rrugëve të qytetit nga aluvionet dhe inertet që solli përmbytja. Nga forcat e ushtrisë janë shpërndarë ndihma për familjet e evakuuar, të cilat në total bëhen rreth 250 familje.

Qarku Tiranë
Në qarkun e Tiranës janë ndërprerë reshjet dhe situata është përmirësuar e po shkon në normalitet.
Gjatë orëve në vazhdim prurjet në lumin e Lanës janë ulur dhe ujrat sipërfaqësore janë larguar nga disa rrugë dhe lagje të bashkisë të Tiranës. Familjet e rrezikuara në Njësinë Administrative nr.4, të bashkisë Tiranë janë evakuuar pranë të afërmve të tyre. Tubacioni i ujit që kalon përmes lumit të Tiranës në Njësinë Administrative nr.4, është nën monitorimin e Ujësjellës Kanalizimeve të Tiranës, të cilët janë në gatishmëri me personel dhe mjete, nëse do të ketë ndonjë pasojë tjetër për shkak të prurjeve të lumit.

Qarku Lezhë
Ujërat nga qyteti i Lezhës janë tërhequr dhe mjetet e ushtrisë po punojnë në komunën Zejmen, për hapjen e rrugëve. Uji nga banesat është tërhequr nga të gjithë sipërfaqja. Situata në këtë bashki po shkon drejt normalizimit. Në bashkinë Mirditë, janë dëmtuar tre ura që lidhin Bashkinë me komunat. Si pasojë e shkarkimeve nga hidrocentrali i Shkopetit është gërryer “Rruga e Kombit” në segmentin e fshatit Skuraj, në Bashkinë Kurbin. Po ndërhyhet me mjete për mbushjen e trasesë së rrugës me gurë dhe inerte. Në njësitë administrative Kaçinar dhe Ugrej rrugët janë hapura dhe qarkullimi bëhet normalisht. Është dëmtuar tubacioni i ujit të pijshëm të Kaçinarit, për të cilën po merren masa për lidhjen e tij.

Në këtë qark hidrovorët janë në punë dhe me kapacitet maksimal.

Qarku Elbasan

Ka shembje të rrugës përpara fshatit Xibrakë, dhe po punohet për hapjen e rrugës, duke mos bllokuar qarkullimin. Është shembur një urë në fshatin Polis. Ura Çengele në Peqin është vënë në punë. Megjithëse kanë rënë prurjet e lumit Shkumbin, gjithë zona anës lumit Shkumbin, nga Elbasani deri në Rrogozhinë ka prezencë të ujit. Shtabi i emergjencës së Prefekturës dhe të bashkive respektive po punojnë me mjete në të gjithë qarkun për të normalizuar situatën

Qarku Dibër
Është normalizuar situata problematike në fshatit Gjoricë e Poshtme. Në fshatin Brezhdan ka prani të ujit në një sipërfaqe afër 100 ha tokë bujqësore. Aksi rrugor nacional Lurë-Kurbnesh-Rëshen është dëmtuar në vendin e quajtur “përroi i gjeollogjisë”, ku po punohet me mjet tip fadromë, dhe situata është drejt përmirësimit. Në bashkinë Klos, njësia administrative Xibër, janë dëmtuara dy ura, në fshatin Xibër Hane, dhe një urë në Xibër Murrizë. Akset rrugore nacionale janë të kalueshme dhe po monitorohen nga shtabi i emergjencave të prefekturës, bashkive dhe policia rrugore.

N/prefektura Kavajë
Në njësinë administrative Gosë, situata po shkon drejt përmirësimit. Problem mbetet grykëderdhja e lumit Shkumbin, ku si pasojë janë përmbytur sipërfaqe të konsiderueshme tokë bujqësore në fshatin Kalush. Në njësinë administrative Sinaballaj, janë përmbytur 40 ha tokë bujqësore. Një subjekt privat i ndodhur në këtë njësi, është i bllokuar nga ujërat, dhe personeli është larguar nga ky ambient, por mbetet problem dëmtimi i blegtorisë së ndodhur në të. Stacioni i pompimit të ujit në fshatin Harizaj ka pasur ndërprerje të energjisë elektrike për rreth një orë. Dy hidrovorët funksionjnë normalisht dhe me kapacitet të plotë. Komisariati i Policisë është në gatishmëri të plotë duke iu përgjigjur çdo kërkese të bashkive dhe njësive administrative për normalizimin e situatave që krijohen nga shirat e rëna.

Lushnje
Po punohet për hapjen e tombinave të rrugës nacionale pranë fshatit Çermë.
Janë evakuuar të gjithë familjet që ishin në rrezik. Mjetet e bashkive Lushnje dhe Divjakë dhe të ushtrisë janë në terren për mbylljen e argjinaturës. Uji ka filluar të tërhiqet ndërsa niveli i përmbytjeve po bie.

Të gjitha strukturat përgjegjëse janë në terren.

GJENDJA E AKSEVE RRUGORE SIPAS ARRSH DERI NE OREN 20:30
[embeddoc url=”https://www.balkanweb.com/site/wp-content/uploads/2016/01/Buletini-darkës-i-ARRSH-Informacioni-sipas-qarqeve-OK.docx” viewer=”microsoft”]

KRYEBASHKIAKI I DIVJAKËS, KOKONESHI: NESËR DO MBYLLIM ÇARJEN NË ARGJINATURË
Kreu i Bashkisë së Divjakës, një nga zonat e prekura nga përmbytjet, Fredi Kokoneshi, deklaroi se ditën e nesërme do të mbyllet çarja e argjinaturës, e cila u dëmtua nga vërshimi i lumit Shkumbin. Ndër të tjera Kokoneshi pohoi se më pas, vetëm brenda pak orësh situata nuk do të jetë emergjente. “Presim rënien e nivelit të lumit. Po hapim kanalet që çojnë ujin në hidrovor. Nesër do të mbyllim çarjen në argjinaturë”, theksoi kreu i Bashkisë, Kokoneshi. Lushnja, sidomos zona e Çermës dhe aty përreth pati dëme të konsiderueshme nga reshjet e shiut, të cilat shkaktuan përmbytje në toka bujqësore, por dhe në banesa.

GRAMSH, RREZIKOHET SHEMBJA E NJË BANESE NË FSHATIN KISHTË
Në fshatin Kishtë të Gramshit rrezikohet shembja e një banese. Tetë anëtarët e familjes Hoxholli rrezikojnë të mbeten në qiell të hapur, pasi shtëpia e tyre është gati duke u shembur. Banesa është në pronësi të shtetasit Nazif Hoxholli.
BASHA NË ÇERMË: 150 FAMILJE TË PËRMBYTURA, ASNJË MASË PËR MBYLLJEN E ÇARJES SË ARGJINATURËS

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka inspektuar nga afër sot situatën e shkaktuara nga përmbytjet në Çermë të Lushnjës. Kryeopozitari pohoi se deri më tani nuk është marrë asnjë masë për mbylljen e çarjes së argjinaturës. Mëngjesin e sotëm, Lumi Shkumbin çau argjinaturën, duke përmbytur kështu dhjetra hektarë tokë si dhe shumë banesa.

“Në Çermë ku Shkumbini ka çarë argjinaturën dhe mbi 150 familje janë përmbytur 3 orët e fundit. Dhjetera metra kub ujë për sekondë vërshojnë përmes çarjes duke zgjeruar njollën e përmbytjes. Asnjë masë deri tani për mbylljen e çarjes.”, pohoi Basha. Ndër të tjera ai theksoi se gjendja vazhdon të përkeqësohet si pasojë e reshjeve të dendura të shiut. “Në Sukth ku Erzeni ka dalë nga shtrati duke përmbytur mbi 1200 familje. Niveli i ujit në shumë raste mbi 1.5 metër. Gjendja vazhdon të përkeqësohet.”, tha Basha. Ditën e sotme, kryetari i PD-së, Basha vizitoi familjet e prekura nga përmbytjet në Sukth, zonë në të cilën janë shkaktuar dëme të mëdha.

KREU I BASHKISË SHIJAK: SITUATA PROBLEMATIKE, JANË PËRMBYTUR TOKAT, BANESAT E BIZNESET
Kreu i Bashkisë së Shijakut, Kokomani duke folur për “News 24” është shprehur se situata në këtë zonë paraqitet problematike si pasojë e përmbytjeve. Kokomani tha se si pasojë e reshjeve të dendura të shiut janë përmbytur dhjetëra hektarë tokë, si dhe janë dëmtuar dhjetëra banesa e biznese.

“Kaluam një situatë jo të mirë në Shijak. Dëme të konsiderueshme janë regjistruar në të gjithë zonën, dëme në bujqësi, banesa, biznese. Një situatë jo ë e mirë, e cila u precipitua nga reshjet e mëdha të shiut. Nisur nga situata e krijuar u evakuuan banorët. Janë përmbytur me qindra hektarë tokë”, u shpreh Kokomani.

MINISTRIA E BUJQËSISË INFORMACION PËR TOKAT E PËRMBYTURA
[embeddoc url=”https://www.balkanweb.com/site/wp-content/uploads/2016/01/Të-dhëna-nga-Drejtorite-Bujqesore-ne-vend-mbi-përmbytjen-6-7-janar-2016.docx” viewer=”microsoft”]

HAXHINASTO: KËTO DITË PO I KUSHTOJMË VËMENDJE CILËSISË SË UJIT
Ministri i Transporteve, Edmond Haxhinasto inspektoi impiantin e pastrimit të ujit të pijshëm në Bovillë. Ministri theksoi se këto ditë po i kushtohet vëmendje cilësisë së ujit të pijshëm.

“Ka një vëmendje shtesë nga ISHP. Rezulton se situata është mëse normale.”- deklaroi Haxhinasto.

KREU I ARRSH: JA AKSET PROBLEMATIKE, NË TIRANË-ELBASAN PO RRËSHQET NJË TJETËR MASIV
Në një komunikim telefonik në “News24”, kreu i ARRSH, Dashamir Xhika renditi akset problematike në vend, ku qarkullimi i automjeteve është vështirësuar si pasojë e shkarjes së masiveve të dheut dhe gurëve.

Zoti Xhika bëri të ditur se në aksin Tiranë-Elbasan qarkullohet vetëm me një korsi, ndërsa u bëri apel drejtuesve të mjeteve që të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor.

“Gjatë ditës së sotme kemi patur probleme të shumta, si shkarja e një masivi në aksin Tiranë –Elbasan. Përpara në ore ka filluar të rrëshqasë edhe një pjesë tjetër masivi, që po mbahet nën kontroll dhe po merren masa për të mos dëmtuar rrugën. Aktualisht në këtë aks kalohet vetëm me një korsi. U bëhet thirrje drejtuesve të mjeteve të respektojnë rregullat e qarkullimit. Eshtë situatë serioze”- tha kreu i ARRSH.

Ndërkohë me një aks qarkullohet edhe në aksin Elbasan-Cërrik-Gramsh, i cili u bllokua mbrëmë si pasojë e shembjes së rrugës.

Kreu i ARRSH-së tha se probleme ka edhe në veri të vendit, për shkak të shkarjes së masiveve të gurëve.
“Situata është problematike, por ndërhyrja e kontraktorëve ka bërë të mundur që qarkullimi të jetë në funksion”- deklaroi Xhika.

POGRADEC, SHEMBET NJË PJESË E RRUGËS SË DARDHASIT
Reshjet e shiut kanë shembur një pjesë të rrugës së Dardhasit në Pogradec, duke bllokuar qarkullimin e automjeteve. Rruga e bllokuar lidh komunën Dardhas me 4 fshatra. Ndërkohë, probleme ka edhe në aksin Pogradec-Memlisht, për shkak të inerteve që kanë rënë në rrugë. Autoritetet në Pogradec po punojnë për zhbllokimin e rrugëve.
KREU I BASHKISË SË RROGOZHINËS: JANË PËRMBYTUR 3 MIJË HEKTARË TOKË
Kreu i Bashkisë së Rrogozhinës, Beqir Nuredini, ka folur për situatën e krijuar në këtë zonë si pasojë e përmbytjeve. Nuredini sqaron se si pasojë e reshjeve të dendura të shiut janë përmbytur rreth 3 mijë hektarë tokë.

Sipas kreut të Bashkisë së Rrogozhinës përmbytje të mëdha ka edhe në qytet, si dhe në Vil-Bashtovë.
Dhjetëra biznese janë të përmbytura në qytet, ndërsa dëmet materiale janë të mëdha edhe në disa banesa.

INFORMACION LIDHUR ME SITUATËN E PËRMBYTJEVE DERI NE OREN 15:30
QARKU FIER

Në grykëderdhje të lumit Shkumbin, në afërsi të fshatit Thanasaj, është çarë argjinatura fundore për shkak të prurjeve të mëdha. Si rezultat ujrat e lumit Shkumbin, po kthehen mbrapsht por gjithashtu ka prurje edhe nga deti, duke krijuar përmbytje në të gjithë zonën.
Rreth 20 familjet e fshatit Thanas janë shpërngulur dhe po merren masa për evakuimin e familjeve nga fshati Çermë dhe Tërbuf të cilet rrezikohen.

Në vendngjarje po punon 1 fadromë dhe familjet po transportohen për në zonën e evakuimit me rimorkiatorë edhe 2 eskavatorë të Bordit të Kullimit.
Ministria e Mbrojtjes ka dërguar 50 forca ushtarake, 3 fadroma, 2 traktorë me zinxhirë dhe 2 eskavatorë.

Drejtoria e Përgjithshme e Emergjencave Civile ka udhëzuar Nënprefektin për angazhimin e mjeteve të rënda të subjekteve private në eleminimin e çarrjes së argjinaturës.
Situata paraqitet ende e vështirë.

QARKU ELBASAN
Aksi rrugor Cërrik-Gramsh është i pakalueshëm sepse në pjesën e poshtme për shkak se është rritur niveli i liqenit të H/C të Banjës, por funksionon rruga e sipërme Llixhat – Gramsh.

Pas riparimit te urës së dëmtuar në stacionin e pompimit Çekin, aksi Elbasan–Gramsh nuk ka ndërprerje të qarkullimit të mjeteve.

Në aksin Elbasan – Librazhd në vendin e quajtur Xibrakë janë larguar inertet nga subjekti i kontraktuar për mirëmbajtje dhe qarkullimi i mjeteve bëhet normalish në të dy senset.

Në hyrje të qytetit të Peqinit nga aksi Rrogozhinë-Peqin është dëmtuar ura e varur që lidh Peqinin me fshatin Budlis, Njësia Administrative Pajovë.
QARKU DURRËS

Gjatë orëve në vazhdim situata në qarkun e Durrësit është në përmirësim përshkak të ndërprerjes së reshjeve dhe uljes së nivelit të ujrave në lumenjtë Erzen dhe Ishëm.

Në fshatin Katud i Ri, Njësia Administrative Katund i Ri, bashkia Shijak për arsye sigurie janë evakuuar 185 persona, banesat e të cilëve rrezikohen nga përmbytjet dhe janë strehuar tek të afërmit e tyre.

Në bashkinë Shijak dhe në Njësinë Administrative Sukth, situata është përmirësuar ndjeshëm. Forcat e ushtrisë kanë shpërndarë ndihma për familjet në nevojë.
Gjithashtu po monitorohet edhe niveli i ujrave në zonat problematike dhe veçanërisht niveli i shtratit të lumenjve Erzen dhe Ishëm, të cilët për momentin janë në rënie

QARKU TIRANË
Në qarkun e Tiranës janë ndërprerë reshjet dhe situate është përmirësuar e poshkon në normalitet. Gjatë orëve në vazhdim prurjet në lumin e Lanës janë ulur dhe ujrat sipërfaqësore janë larguar nga disa rrugë dhe lagje të bashkisë të Tiranës.

Autoriteti Rrugor Shqiptar ka ndërhyrë me mjete pranë hotel Eklipsit, në segmentin rrugor Tiranë- Elbasan, për largimin e masivit të dheut që u krijua nga rrëshqitja. Aktualisht është rivendosur qarkullimi normal i mjeteve.

Forcat dhe mjetet e Ndërmarrjes së Shërbimeve në bashkinë e Tiranës kanë riparuar urën e vogël që lidh segmentin rrugor “5 Maji” – Paskuqan.

QARKU LEZHE
Situata është e përmirësuar. Akset rrugore janë të kalueshme plotësisht. Në aksin e vjetër rrugore Lezhë-Zejmen-Pllanë ka prani të ujrave sipërfaqësore. Gjithashtu edhe në disa fshatra si Spiten, Zejmen, Markatomaj dhe Pllane.

Hidrovoret në Tale dhe Ishull-Shengjin punojnë me kapacitet të plotë. Në disa zona fushore të rrethit Kurbin, megjithëse hidrovoret në Fushe-Kuqe dhe Adriatik funksionojnë me kapacitet të plotë, ka ende prani të ujrave sipërfaqësore, si në tokat bujqësore të Njësisë AdministrativeFushe-Kuqe.

Në rrethin e Mirditës mbetet problem ura e Cekajve qe lidh Rreshenin me zonën e Kaçinarit,e cila është e pa kalueshme sepse ende ka rreth 1 m uji mbi nivelin e saj. Qarkullimi i mjeteve në këtë zonë bëhen në rrugën Kaçinar-Ungrej-Kreshte-Lezhe.

Nga qarqet e tjera të vendit nuk raportohen probleme për shkak të kushteve të motit.

Emergjencat Civile u apelojnë qytetarëve të telefonojnë në numrin 129 të Policisë së Shtetit apo në numrin 128 të Shërbimit Zjarrfikës, për çdo rast emergjence apo situatë problematike.

QYTETARI: LANA PO NA SHEMB SHTËPINË, ASKUSH NUK PO NA VJEN NË NDIHMË
Banorët në zonën pranë Maternitetit të ri në kryeqytet bëjnë apel për ndihmë, pasi ujërat e lumit Lana u rrezikojnë shembjen e shtëpive.

Një qytetar ka dërguar në “BalkanWeb” foto nga vendi i ngjarjes, ku lumi i është afruar shumë një shtëpie, e cila rrezikon të shembet.

“Kemi një shtëpi, gati po shembet nga uji i Lanës afër Maternitetit të Ri. Po na ndihmoni dot ju lutem se s’po na vjen në ndihmë kush.”- deklaron qytetari.

KOLONELI LOKAJ NË SUKTH: PO EVAKUOJMË BANORËT, ENDE NUK JANË ULUR PRURJET E ERZENIT
komandanti i Komandës Mbështetëse, Fatmir Lokaj, ka folur për “News 24” për situatën në Sukth. Lokaj tha se janë evakuuar mbi 220 persona, duke shtuar se ende nuk janë ulur prurjet e lumit Erzen.

Forcat e Armatosura janë përqendruar në evakuimin e banorëve nga fshati Katund i Ri.

DREJTORIA E SHËNDETËSISË NË ELBASAN: KUJDES ME UJIN E PIJSHËM, I NDOTUR
Drejtoria e Shëndetësisë në Elbasan u ka bërë thirrje qytetarëve që të kenë kujdes me ujin e pijshëm. Në një reagim publik, drejtoria ka pohuar se në disa vendburime, uji është i ndotur si pasojë e reshjeve me intensitet të lartë. Sakaq, problematike ngelet situata dhe në Cërrik, pasi vendburimi i shelgjeve është përmbytur. Ndërkohë, në këtë qytet janë ndodhur dhe depot e furnizimit, ndërsa uji është i pakonsumueshëm dhe rrjeti po dezinfektohet.

LUMI ISHËM DEL NGA SHTRATI, PËRMBYTEN 800 HEKTARË, BANORËT: NA U PRISHËN TË MBJELLAT
Dalja nga shtrati i lumit Ishëm ka shkaktuar përmbytje të mëdha në zonën e Krujës. Rreth 600 hektarë tokë rezultojnë të përmbytura, por sipas banorëve në Bubq, përmbytja mund të shkojë deri në 800 hektarë.

Banorët shprehen të shqetësuar për dëmet pasi u janë dëmtuar të mbjellat, dhe baza ushqimore për kafshët. Ka edhe sipërfaqe të tjera që janë të përmbytura si pasojë e mospastrimit të kanaleve. Në zonat e Krujës nuk është bërë asnjë ndërhyrje deri më tani.

Vetëm administratori i zonës është interesuar për gjendjen, por nuk është bërë asnjë ndërhyrje.

DËMTIME SERIOZE NË RRUGËN ELBASAN-LIBRAZHD
Aksi rrugor Elbasan-Librazhd ka pësuar dëmtime serioze si pasojë e rrëshqitjes së dherave. Rrjedha e fortë e ujit të lumit Shkumbin ka gërryer një pjesë të rrugës nacionale.
Dëmtimi i rrugës ka ndodhur në Xibrakë tek “Ura e Telit”.

Një situatë e tij ka krijuar probleme për qarkullimin e mjeteve, duke mundësuar kalimin në vetëm një korsi në aksin Elbasan-Librazhd.

RAMA NË SHIJAK: NATYRA ËSHTË SHKATËRRUAR ME PROJEKTE KUTURU
Kryeministri i vendit, Edi Rama, duke marrë shkas nga gjendja alarmante e krijuar si pasojë e reshjeve të shiut, të cilat shkaktuan përmbytje të mëdha, ka shkuar për tër inspektuar nga afër banorët e Shijakut. Mësohet se gjatë takimit me kreun e Qeverisë, banorët pohuan se në këtë zonë më parë ka qenë liqen. Ndërkohë, Rama deklaroi se si asnjëherë më parë qeveria e tij ka dëmshpërblyer dëmet e shkaktuara nga përmbytjet. Ai risolli në vëmendje rastin e përmbytjeve në Shkodër, ndërsa theksoi se ‘kemi likuiduar 7 milionë euro për ultësirën e Shkodrës’. Më herët kryeministri Rama inspektoi Sukthin, një zonë kjo e prekur shumë nga përmbytjet.

RRËSHQITJE DHERASH NË KORÇË, IZOLOHEN 7 FSHATRA
Rrëshqitjet e dherave në Korçë kanë bllokuar aksin rrugor Lozhan-Moglicë, duke izoluar banorët e shtatë fshatrave. Mësohet se të izoluar janë fshatrat Osnat, Velcan, Mesmal, Selke, Niçe, Trekanj dhe Berrdush. Banorët thonë se janë të bllokuar që prej ditës së djeshme dhe nuk kanë asnjë mundësi të për kaluar rrugën.

PANARITI: ARGJINATURA NË SHKUMBIN MUND TË BLLOKOHET VETËM NGA AJRI
Ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti bën të ditur se po bëhen të gjitha përpjekjet për të riparuar argjinaturën në Shkumbin. Në një komunikim telefonik në “News24”, ministri Panariti tha se argjinatura mund të bllokohet vetëm nga ajri, përmes përdorimit të helikopterëve për hedhjen e thasëve me rërë dhe blloqeve të betonit.

“Po bëjmë përpjekje maksimale për të bllokuar provizorisht çarjen e argjinaturës, për ta riparuar më vonë. E vetmja rrugë për të bllokuar argjinaturën është nga ajri, pasi bëhet fjalë për një rrip toke dhe është i pamundur bllokimi nga toka. Helikopterët duhet të hedhin thasë rëre dhe blloqe betoni për një mbyllje provizore. Hidrovori punon me kapacitet të plotë, por prurjet e ujit janë shumë të mëdha, pasi përveç prurjeve që vijnë nga shirat, është një prurje e paparashikuar nga prurjet e Shkumbinit, nga çarja e argjinaturës.”- deklaroi Panariti.

Ministri bëri të ditur se “për dy-tre ditë do kemi një pauzë të reshjeve që do na lejojnë të riparojmë argjinaturën dhe investime të tjera suplementare në diga”.

KËSHILLTARËT E DJATHTË VIZITOJNË ZONËN PRANË MATERNITETIT, OLLI: VELIAJ LA QYTETARËT VETËM DHE U LARGUA
Reshjet kanë shkaktuar jo pak probleme edhe në kryeqytet, ku disa zona janë përmbytur plotësisht për shkak të daljes së Lanës dhe lumit të Tiranës nga shtrati. Sot këshilltarët e PD-së, në këshillin bashkiak kanë vizituar zonën pranë Maternitetit të ri, ku Leonard Olli nuk ka ngurruar sërish të akuzojë kryetarin e Bashkisë, Erion Veliaj se la qytetarët vetëm dhe u larguar.
“Bashkia donte të fshihte vizitën e Veliajt në Sri Lanka. Veliaj la qytetarët vetëm dhe u largua. Veliaj bëri parashikimin e motit, por nuk mori masa”, tha Olli.

FA-TË NDËRHYJNË ME HELIKOPTER NË ÇERMË
Forcat e Armatosura vijojnë angazhimin maksimal në operacionin e përmbytjeve të shkaktuara nga reshjet e dendura që kanë rënë dhe vijojnë të bien. Kështu në zonën e Katundit të Ri të qarkut të Durrësit janë evakuuar 185 persona që rrezikoheshin nga përmbytjet, ndërsa një helikopter i Forcës Ajrore ka kryer një operacion kërkim-shpëtimi në këtë zonë. Forcat Speciale dhe ato të Komandës Mbështetëse vijojnë të kontribuojnë për evakuimin e banorëve që rrezikohen, si dhe për shpërndarjen e ushqimeve dhe veshmbathjeve për banorët në nevojë të kësaj zone.

Ndërkaq, FA kanë nisur rreth 50 forca në drejtim të Lushnjës. Nga Komanda Mbështetëse  janë dërguar 3 mjete vetëshkarkuese me thasë me rërë për të mbushur argjinaturën e lumit Shkumbin, e cila rrezikon të përmbysë zonën e Çermës, dy mjete traktorë me zinxhirë të Batalionit të Xhenios, 2 mjete transporti me 20 persona dhe thasë bosh për tu mbushur në plazhin e Divjakës. Ndërsa FA ka vendosur një helikopter “Cougar”, i cili do të përdoret për transport thasësh me rërë nga plazhi i Divjakës për t’i hedhur në argjinaturën e çarë të lumit Shkumbin.

PËRMBYTJET, MBLIDHET ME URGJENCË SHTABI I EMERGJENCAVE NE TIRANE DHE DURRES
Situata e krijuar nga përmbytjet, ka mbledhur me urgjencë Shtabin e Emergjencave në Prefekturën e Tiranës dhe në Durrës.

Prefekti i Tiranës, Sadi Vorpsi theksoi se prioritet duhet të jetë jeta e qytetarëve dhe parandalimi i katastrofave. Prefekti kërkoi koordinimin e punës dhe rritjen e gatishmërisë, në mënyrë që të garantohet siguria e njerëzve dhe kalueshmëria rrugore. Shtabi i Emergjencave në Tiranë është mbledhur sot për të dytën herë brenda kësaj jave.

Nga shirat e shumtë në Tiranë sot ka patur probleme në aksin Tiranë – Elbasan, pranë hotel “Eklips”, ku ka një rrëshqitje masivi dheu. Aktualisht qarkullimi kryhet me vështirësi nën monitorimin e Policisë Rrugore.

Një urë e vogël që lidh ish-Uzinën ”Dinamo” me Paskuqanin është dëmtuar dhe është ndërprerë qarkullimi i automjeteve në këtë drejtim. Në Bërzhitë ka një rrëshqitje toke, e cila rrezikonte 4 familje. Emergjencat kanë bërë evakuuimin e tyre dhe kanë nisur ndërhyrjen me mjete për normalizimin e situatës.

Ndërkohë rreth mesditës është mbledhur edhe në Durrës Shtabi i Emergjencave.
Në Bashkinë Shijak dhe në njësinë administrative Sukth, ka pasur vërshime të ujërave të lumit Erzen. Është punuar gjatë gjithë natës nga forcat e Policisë, të ushtrisë, forcat vullnetare me motorbarka dhe gomone për të bërë të mundur evakuuimin e banorëve që rrezikoheshin në banesat e tyre. Në Bashkinë Shijak janë evakuuar rreth 50 familje.

Në njësinë administrative Sukth janë evakuuar rreth 30 familje dhe vazhdon evakuuimi i familjeve të tjera. Shtabet e emergjencës së Prefekturës dhe të Bashkive Durrës dhe Shijak, po punojnë me gjitha strukturat.

KLOSI NE DURRES: JEMI PRANË BANORËVE PËR ÇDO NDIHMË QË KËRKOJNË

Ministri i Mirëqenies Sociale, Blendi Klosi vizitoi zonat e përmbytura në Durrës, ku garantoi banorët për mbështetjen e institucioneve në këto ditë të vështira.

Ministri Klosi theksoi rëndësinë e investimeve që të shmangen problemet në të ardhmen.

“Të solidarizohemi me banorët e prekur. Jemi pranë banorëve për çdo ndihmë që kërkojnë. Të evidentohen dëmet e shkaktuara.”- deklaroi Klosi.

BALLA: PO PUNOHET PËR ZHBLLOKIMIN E AKSIT LIBRAZHD-ELBASAN
Deputeti i Partisë Socialiste për Librazhdin, Taulant Balla, deklaron se po punohet për zhbllokimin e segmentit rrugor Librazhd-Elbasan, bllokur si rezultat i motit të keq dhe rrëshqitjeve të dheut. Balla nëpërmjet statusit të tij në rrjetin social Facebook në mesditën e së enjtes, shprehet: “Po punohet me shpejtësi për zhbllokimin e rrugës Librazhd-Elbasan nga rreshqitja e një masivi toke”. Ndërkohe, në terren janë grupet e Emergjencës Civile, deputete të Kuvendit, punonjës të bashkisë dhe të Ministrisë së Mbrojtjes, që vazhdojnë operacionet e tyre për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve dhe kumuniteteve të prekura nga reshjet dhe moti i keq.

50 TRUPA TË FORCAVE TË ARMATOSURA NË LUSHNJË
Dalja e lumit Shkumbin nga shtrati ka bërë që Ministria e Mbrojtjes të nisë drejt Lushnjës 50 trupa të Forcave të Armatosura.

Mësohet gjithashtu se në Çermë, e cila është edhe zona më e prekur ndodhen 3 fadroma, 2 traktorë me zinxhirë, ekskavatorë. Ndërkohë në fshatin Katund i Ri janë evakuuar deri tani 185 persona nga ana e forcave të ushtrisë. FA-të vijojnë punën për evakuim e shpërndarje ushqimesh në zonat e përmbytura.

DËMTOHET URA NË PASKUQAN
Ura që lidh ish Uzinën Dinamo me Paskuqanin është dëmtuar si pasojë e reshjeve të shiut.

PANARITI: SHKUMBINI ÇAN ARGJINATURËN, KATASTROFË NATYRORE NË LUSHNJË
Në një lidhje telefonike për News24, Ministri i Bujqësisë dhe Administrimit të Ujërvae, Edmond Panariti ka dhënë një panoramë aspak optimiste të shkaktuar nga përmbytjet në rrethin e Lushnjës. Panariti tha se lumi Shkumbin ka çarë argjinaturën dhe është futur në fushë, ndërkohë që probleme ka edhë në hidrovorin e Tërbufit.

“Është çarë argjinatura e lumit Shkumbin. Lumi është futur në fushë. Presioni i madh i ujërave nuk u mbajt dot nga argjinatura. Ka pasur prurje rekord, 2300 m3 për sekondë. Në Çermë disa familje refuzojnë evakuimin. Reshjet e shiut kanë bërë që të dëmtohen hidrovoret. Të sjellim të gjithë flotën e ekskavatorëve që të minimizojmë dëmet. Të ruajmë njerëzit. Është katastrofë natyrore dhe duhet përballuar. Duhet të përmbajmë lumin me aq sa të mundemi. Në ditët në vazhdim do ketë ndërprerje të reshjeve. Prurjet kanë sjellë edhe shumë papastërtira dhe kanë bllokuar grykën e kanaleve. Thirrje banorëve të largohen nga banesat”, ka thënë Panariti.

NË AKSIN RRUGOR TIRANË-ELBASAN, RRËSHQITJE MASIVE DHEU
Rrëshqitje masive dheu ka edhe në aksin Tiranë-Elbasan, pranë hotel “Eklips”, duke bërë që qarkullimi të kryhet me vështirësi. Edhe në Bërzhitë ka rrëshqitje toke, prandaj janë evakuuar 4 familje.

PREFEKTI I ELBASANIT: AKSI ELBASAN-LIBRAZHD ZHBLLOKOHET RRETH MESDITËS
Ndërkaq Prefekti i Elbasanit, Arben Kamani ka inspektuar nga afër aksin Elbasan-Librazhd i bllokuar që prej mënjgesit nga rrëshqitja e dherave. “Mobilizim në maksimum për normalizimin e situatës, pasi ka edhe radhë të gjata mjetesh në këtë aks. Rreth mesditës parashikohet zhbllokimi i rrugës Elbasan-Librazhd”.

FUSHË-KRUJË, RRETH 700 HA TOKË BUJQËSORE TË PËRMBYTURA, UJI HYN NË 26 BANESA
Rreth 700 ha tokë bujqësore është përmbytur gjatë orëve të natës në Fushë Krujë, si pasojë e daljes nga shtrati të lumit Ishëm. Raportohet edhe për 150 banesa me prezencë uji, ndërsa në 26 banesa të fshatit Murqine uji ka hyrë në brendësi. Po ashtu rezulton të jetë i përmbytur edhe një pjesë e fshatit Mallkuç.

PËRMBYTJET NË FIER, KRYEADMINISRATORI I BASHKISË FLORJAN MUCAJ: SITUATA NËN KONTROLL
Kryeadminisratori I bashkisë Fier Florjan Mucaj ka pohuar se situate e rreshesjeve ka qënë nën kontroll. Si pasojë e reshjeve intensive gjatë natës ka pasur probleme ne një sipërfaqe të vogël në qytetin e Fierit. Lumi Gjanica ka hyrë në rreth 6 biznese që dhe në oborret e 10 banesave. Qarkullimi I këmbësorëve u pezullua përkohësisht, pasi ishte e pamundur kalimi nga njëra anë e urës në tjetrën. Gratë e fëmijët u larguan nga banesat duke shkuar tek të afërnmit e tyre. Situata është normalizuar mëngjesin e sotëm. Ndërhyrjet për pastrimin e shtratit të lumit Gjanica kanë sjellë një situatë të përmirësuar në qytetin e Fierit, ndërkohë që dalja nga shtrati gjatë natës ka ndodhur në një pjesë ku ende nuk është kryer pastrimi, i cili është ende në proces.
USHTRIA EVAKUON 74 PERSONA NGA QERRETI

Forcat e Armatosura në vijim të operacionit për përballimin e situatës së krijuar nga përmbytjet e shkaktuara nga reshjet, kanë angazhuar deri në këto momente rreth 250 forca, mbi 35 mjete të ndryshme si fadroma, iveko, ekskavator etj., si dhe një helikopter Cougar. Angazhimi i forcave ushtarake ka vijuar në disa zona problematike si në Tiranë, Durrës, Lezhë, Shijak, Gjoricë të Dibrës etj.

Aktualisht një helikopter Cougar pop o kryen një operacion për t’iu ardhur në ndihmë banorëve të zonës së Katundit të Ri në Qerret të Durrësit, të cilët janë të bllokuar nga ujërat. Deri në këto momente nga toka është bërë e mundur evakuimi i 74 personave, si dhe është transportuar edhe dokumentacioni i shkollës në Qerret. Krahas helikopterit, FA kanë angazhuar në këtë zonë edhe mjete të tjera shpëtimi nga Batalioni i Këmbësorisë në Poshnje për t’i ardhur në ndihmë dhe evakuuar njerëzit në nevojë.

Ushtria, permbytjet (16)

ARRSH: JA RRUGET E BLLOKUARA
Nga Specialistët e Drejtorive të Rajoneve, mësojmë se situata në akset kombëtare paraqitet si më poshtë:

Në Rajonin Verior, Shkodër:
Si pasojë e rreshjeve të shumta të shiut, në akset e këtij Rajoni ka rënie gurësh dhe aluvione në rrugë, që po pastrohen nga firmat kontraktore. Në aksin Qafë Mali – Fierzë, ka një shkëputje të trupit të rrugës, në vendin e quajtur Miliska, me një gjatësi 10 ml. Për momentin qarkullimi është i bllokuar, deri në gjetjen e një alternative tjetër kalimi. Edhe në aksin K/Hadroj – Qafë Benë, ka rënie gurësh në rrugë, të cilët po pastrohen me fadromë. Edhe në Rrugën e Kombit, në Strungaj, ka patur një shembje masive për shkak të rreshjeve, por firma kontraktore ka punuar gjithë natën për pastrimin e aksit dhe sot nuk ka probleme në qarkullim. Të gjithë kontraktorët dhe specialistët e kësaj Drejtorie janë në gadishmëri.

Në Rajonin Jugor, Gjirokastër:
Në të gjitha akset e këtij Rajoni nuk ka problem për qarkullimin. Gurët e rënë nga shirat në disa akse janë pastruar nga firmat. Të gjithë kontraktorët dhe specialistët e kësaj Drejtorie janë në gadishmëri, sidomos në zonat e njohura të rrëshqitjeve, si në Shkallën e Zezë, Rapi i Kuqarit, Lekël – Përmet.

Në Rajonin Qëndror, Tiranë:
Nga shirat e shumtë ka patur problem në aksin Tiranë – Elbasan, si pasojë e rrëshqitjes në Ibë. Rruga ëshë devijuar në aksin e vjetër me një kalim. Probleme ka në akset e Elbasanit dhe konkretisht: Në aksin Cërrik – Banjë sapo u njoftuam se segmenti Banjë – Drizë është i bllokuar, si pasojë e fryrjes së liqenit të Devollit. Në Shelcan dhe derstil në aksin Elbasan – Peqin, ka rrëshqitje skarpatash dhe rruga është me një kalim. në segmentin Drizë – Gramsh, km 98, është bllokuar një tombino dhe është shembur traseja e rrugës. Eshtë bllokuar edhe aksi Elbasan Libarazhd në vendin e quajtur Xibrakë, për se ka rrëshkitur një masiv shkëmbor duke bllokuar rrugën. Po punohet përnormalizimin e situatës.

Ja tabela me informacionin më të detajuar nga ARRSH
[embeddoc url=”https://www.balkanweb.com/site/wp-content/uploads/2016/01/Buletini-i-pare-me-informacioni-sipas-qarqeve-date-07.01.2016.docx” viewer=”microsoft”]

GRAMSH-ELBASAN, KALIMI NGA RRUGA E VJETËR ME NJË SENS, PEZULLOHET MËSIMI
Rikthehet qarkullimi mes Elbasanit e Gramshit. Raportohet se mjetet po lëvizin me një sens nga rruga e vjetër. Si pasojë e reshjeve dhe daljes nga shtrati të lumenjve e përrrenjve në është pezulluar mësimi në të gjithë rrethin e Gramshit.

BLLOKOHET QARKULLIMI NË AKSIN RRUGOR ELBASAN-LIBRAZHD
Qarkullimi i mjeteve është bllokuar mëngjesin e sotëm në aksin rrugor Elbasan-Librazhd, si pasojë e rrëshqitjes së dherave në trasenë e rrugës dhe të hekurudhës në Xibrakë.xibrake shkarje dherash 1

KODHELI: DISA ZONA U GDHINE NEN UJE, FA PRANE BANOREVE
Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, ben te ditur se Forcat e Armatosura janë gdhirë në zonat nën pushtetin e ujit për t’u ardhur në ndihmë banoreve të zonave të përmbytura në Ndroq të Tiranës dhe Katund të Ri në Durrës. Ministrja e Mbrojtjes, Kodheli, nëpërmjet statusit të saj Facebook mëngjesin e së enjtes, shprehet: “Disa zona të vendit gdhihen nën ujë. Të njëjtën gjë kanë bërë edhe Forcat e Armatosura të Shqipërisë, të cilat nuk kanë pushuar asnjë çast”.

“Më e rëndësishme është jeta e njerëzve dhe FA këtë kanë bërë. Ditë-natë kanë evakuuar banorë të zonave të përmbytura në Ndroq të Tiranës dhe Katund të Ri në Durrës, ku dhe ka shkuar një helikopter për të ndihmuar nga ajri. Gjendja e vështirë vazhdon, kështu që edhe angazhimi i FA vazhdon”, shkruan Kodheli.

SHKUMBINI PËRMBYT DISA ZONA NË LUSHNJE DHE KAVAJË
Si pasojë e daljes nga shtrati të lumit Shkumbin, raportohet se mëngjesin e sotëm janë përmbytur disa zona në Lushnjë dhe në Kavajë.

I BLLOKUAR AKSI RRUGOR GRAMSH-ELBASAN
Vijon të jetë i bllokuar aksi rrugor Elbasan-Gramshsi pasojë e shembjes së një ure. Në Gramsh ndërkohë ka probleme në disa fshatra si pasojë e daljes nga shtrati të përrenjve. Probleme raportohet të ketë në Kukur, Selçan, Poroçan dhe Skënderbegas. Ndërkohë që në Llallë dhe në Kushovë ka rrëshqitje dherash. Raportohet gjithashtu se aksi rrugor Gramsh-Korçë është i kalueshëm.

DIBËR, SHIUN E ZËVENDËSON BORA, DISA FSHATRA TË IZOLUAR NGA PËRMBYTJET
Në Dibër, si pasojë e uljes së temperaturave reshjet e shiut janë zëvendësuar sot me reshje bore, ndërkohë që edhe prurjet e lumit Drin janë ulur. Por ende vijojnë të jenë të izoluar nga përmbytjet dy fshatra. Edhe në Mat është i izoluar fshati Stojan për shkak shembja e urës. Në Fushë-Bulqizë po punohet për riparimin e rrugës në Kocaj 1 dhe 2.

PËRMIRËSOHET SITUATA E PËRMBYTJEVE NË LEZHË
Ndërkaq në Lezhë situata e përmbytjeve duket se është përmirësuar. Sot raportohet për prezencë uji në Pllanë, Zejmen, Torovicë.

(ma.ar/m.k/er.nu/el.sp/ed.me/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: