Keidi Bare, mesfushori i Espanyol dhe Kombëtares kuqezi ka folur për ecurinë e tij te spanjollët. Nga ngjitja në lartësi pa mbrojtje, festa për ngjitjen në La Liga dhe basti që prindërit vendosën për t’u bërë futbollist, fieraku tregon “çmenduritë” e karrierës. Imazhi i Keidi Bare duke festuar ngjitjen e Espanyol në La Liga, vitin e kaluar, bëri xhiron e botës.
“Kam bërë shumë çmenduri. Atë moment ashtu e ndjeva (u ngjit në një parvaz 20 metra të lartë, pa kufizime), nuk isha i vetëdijshëm, më doli ashtu. Për mua ishte diçka normale dhe e zakonshme”.
Basti i familjes – Në mendjen e familjes sime unë do të bëhesha profesionist. Në fillim ishte si lojë dhe një lloj basti, por familja besoi tek unë. Kam punuar shumë dhe duhet të vazhdoj.
Tifozët dhe dashuria në Spanjë – Është një klub i veçantë, jam krenar që luaj këtu.
Ndarja e dhomave të zhveshjes me Torres te Atletico Madrid dhe debutimi – M’u rrëqeth mishi, do ta kujtoj gjithë jetën. Tifozët më dhurojnë shumë dashuri. Familja ime nuk e besoi, nuk mund të nxirrte as celularin për të regjistruar momentin”, tha Bare në një komunikim në kanalet e klubit spanjoll.
(BalkanWeb)
