Ndërsa familjet shqiptare përballen me rritje të fortë të çmimeve të ushqimeve, Greqia ka nisur një nismë kombëtare për uljen e kostos së produkteve bazë. Nga sot, mbi 1,600 produkte në tregun grek do të shiten me çmime të reduktuara, me ulje që në disa raste arrijnë deri në 30%.
Sipas të dhënave të Eurostat, çmimet e ushqimeve dhe pijeve joalkoolike në Shqipëri u rritën me 3.2% në korrik 2026, krahasuar me të njëjtin muaj të një viti më parë. Në Bashkimin Europian,
rritja ishte vetëm 0.6%.
Kjo do të thotë se ritmi i shtrenjtimit të ushqimeve në Shqipëri ishte rreth pesë herë më i lartë se mesatarja e BE-së.
Të dhënat e Eurostat tregojnë një tjetër problem për konsumatorët shqiptarë: jo vetëm që çmimet e ushqimeve po rriten më shpejt se në BE, por fuqia blerëse e qytetarëve mbetet shumë më e ulët.
Në vitin 2025, çmimet e ushqimeve në Shqipëri arritën në rreth 102.9% të nivelit mesatar të BE-së, nga 99.6% një vit më parë.
Pra, në terma të fuqisë blerëse, një shportë ushqimore që kushton 100 euro në BE kushton mesatarisht rreth 103 euro në Shqipëri.
Në të njëjtën kohë, të ardhurat për frymë në Shqipëri janë rreth 43% e mesatares së BE-së, ndërsa konsumi individual aktual për frymë arrin në rreth 48% të nivelit europian.
Kjo krijon një hendek të fortë mes çmimeve që paguajnë shqiptarët dhe të ardhurave që kanë në dispozicion.
Në anën tjetër të kufirit, Greqia ka hyrë në një fazë të re të masave kundër kostos së jetesës.
Iniciativa Kombëtare për Uljen e Çmimeve hyn në fuqi sot, më 31 gusht, duke përfshirë fillimisht më shumë se 1,660 kode produktesh. Konsumatorët grekë pritet të përfitojnë një ulje mesatare prej rreth 7%, ndërsa zbritjet nisin nga 5% dhe në disa raste arrijnë deri në 30%. Nisma përfshin më shumë se 90 kompani furnizuese, 12 rrjete supermarketesh dhe 3 rrjete që tregtojnë pajisje shkollore dhe lodra.
Pjesa më e madhe e produkteve të përfshira në nismë janë artikuj të konsumit të përditshëm. Rreth 900 produkte të markave, përfshirë artikuj me frekuencë të lartë blerjeje, si makaronat.
Mbi 450 produkte shkollore, me ulje mesatare rreth 10%. Rreth 250 produkte me etiketë private, me ulje mesatare prej 7%. Rreth 60 produkte mishi, grek dhe i importuar, me ulje mesatare që arrin në 7.2%.
