Qeveria paralajmëroi shkrirjen e bordeve të transparencës, megjithatë ato vazhdojnë të ekzistojnë, por pa funksionuar. Kështu Bordi i çmimit të naftës ka 3 javë që nuk mblidhet. Çmimi i naftës në bursat ndërkombëtare ka rënë dhe një rënie e tillë normalisht duhet të reflektohej edhe në Shqipëri, por kjo nuk ka ndodhur.
Sipas të dhënave nga bursat ndërkombëtare çmimi i naftës ka rënë me shpejtësi, duke u përafruar ndjeshëm kuotave më të ulëta të vitit 2022. Këtë të martë një fuçi naftë kushton 79 dollarë, ndërsa në Shqipëri një litër naftë vazhdon të kushtojë 199 lekë.

Hera e fundit që Bordi i Transparencës ndërhyri për vendosjen e çmimit të karburanteve ishte 20 dhjetori i vitit të shkuar. Bëhen 20 ditë sot që Bordi nuk mblidhet, megjithëse akti normativ, mbi të cilin u ngrit, përcakton që Bordi mblidhet të paktën një herë në javë.

Sipas ekspertëve, kjo politikë godet interesin publik, favorizon rritjen e sforcuar të të ardhurave buxhetore dhe mbështet kontrabandën masive të naftës. Bordi i Transparencës është në varësi të ekzekutivit dhe në konflikt të plotë interesi, përbëhet në gjysmën e tij nga përfaqësues të vetë subjekteve tregtare. Çështja e Bordit të karburanteve ndodhet në gjykatën kushtetuese, e dërguar nga PD, që kërkon shfuqizimin e tij.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: