“Çoje njëherë te Newsi, të marrim vesh çfarë ka ndodhur”- është fjalia që e kemi dëgjuar dhe thënë të gjithë, sa herë kishte një ngjarje të fundit. Këtë fjali e kam dëgjuar edhe nëpër redaksi televizionesh të tjera, në kafene, në institucione etj. E kam thënë edhe vetë, kur në grupet e punës vinte nje mesazh për një ngjarje të fundit. Me siguri edhe Ardi Veliu e ka thënë kur ja rrihnin policët rrugëve, kur kriminelët miq të tij bënin kërdinë dhe gazetarët guximtarë të Newsit i merrnin vesh lajmet më shpejt se policia.

Kush nga ne nuk e ka ende në vesh zërin e Bashkimit në “Koha për t’u zgjuar” kur babai apo gjyshi hapte televizorin në mëngjes që të dëgjonte gazetat dhe ne donim të flinim edhe pak.

Newsi ka qenë shoqëruesi i çdo familje shqiptare, në gjithë këto vite, ka qenë ekrani i referencës për ngjarje të rëndësishme. Për ditë të bukura e të vështira për shqiptarët. Për festa e për fatkeqsi. Për ndeshje futbolli të kombëtares  e për tërmete që na kanë gjunjëzuar të gjithëve.

Kujtoni veten tuaj, herën e fundit kur deshët të shihnit një lajm, ku e çuat televizorin?

Këto fjalë nuk po i them si punonjës i atij televizioni, por si qytetar, që i dhemb liria e fjalës, e cila dje mori një plagë të rëndë.

Shumëkush nga ju mund të thotë “Ka një vendim gjykate”. Po, ka një vendim gjykate, që unë nuk e kam parë dhe as ju nuk e keni parë. Por po e marrim të mirëqenë që ka.

Putin i mbyll mediat me vendime gjykate. Edhe Erdogan me vendime gjykate i mbyll mediat dhe i burgos kundërshtarët. Hitleri erdhi në pushtet me disa vendime gjykatash. Po ashtu edhe komunizmi me vendime gjykatash i dënonte kundërshtarët e vet. I burgoste, internonte, vriste, dhe zhdukte pa varr. Për çdo gjë ka një vendim gjykate.

Por në këtë rast ka dhe një tjetër vendim gjykate: që atë pronë ua ka kthyer pronarëve prej dy vitesh. Ai vendim pse nuk zbatohet?

Do të bëhet fabrikë armësh. Lajm shumë i mirë. E dini ju sa është ndërtesa më e afërt me fabrikën e armëve? 10 metra në vijë ajrore. Mendojeni vetë rrezikun nëse diçka shkon keq.

Ju duket rastësi që në një shqipëri me mbi 1000 reparte ushtarake, vendi që zgjidhet për të prodhuar armë është një godinë televizioni ndërsa repartet ushtarake jepen me 1 euro për agroturizme dhe magazina peshku? Mua nuk më duket edhe aq rastësi.

Nuk më duket rastësi as që policia erdhi që në orën 6:00 të mëngjesit dhe bllokoi hyrjen e televizionit, i nxori kolegët jashtë me forcë, madje një prej tyre nuk mori dot as syzet optike që i ka të nevojshme, aq e beftë ishte ndërhyrja.

18 makina policie, civilë, polici ushtarake dhe drejtues të lartë policie e ushtrie, për të hyrë në një televizion. Pse? Për çfarë duhej e gjitha kjo?

Do të shkonim ne të përlesheshim me policinë për të hyrë në punë? Do të rrembenim ne hunjtë e do ziheshim me policinë? Ne nuk kemi dhunën mjet pune, në dallim nga shteti, kemi vetëm fjalën e lirë, që ata i ka shqetësuar më shumë se hunjtë që kërcasin nëpër Shqipëri mbi turistët e plumbat që zbrazen në mes të sezonit dhe policia shkon mbledh gëzhojat.

Sikur të ishin të gjitha aksionet e policisë kështu, kaq të befta, kaq të mirëorganizuara, kaq të mirëmenduara, në këtë vend nuk do të kishte kaq kriminelë që enden vërdallë.

Prej dy ditësh, sinjali i News24 është ndërprerë. Shumëkush nga ju, për të kuptuar se çfarë po ndodh me siguri ka thënë: “Çoje njëherë nga Newsi të shohim ç’bëhet.” Edhe ky colorbar që del tani në ekran, tregon shumë për atë që po ndodh. Për ata që kanë sy të shohin, e veshë të dëgjojnë, vijat e colorbarit në ekran, janë grila qelie mbi fjalën e lirë. Edhe pa sinjal, Newsi jep lajme të këqia për të gjithë ne.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb