FC Drita ka barazuar 2:2 me Inter D’Escaldes, në ndeshjen e parë të fazës së “play-off”-it për kualifikim në fazën e ligës të UEFA Conference League, e zhvilluar të enjten mbrëma në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.
Kampionia e Kosovës kaloi dy herë në epërsi, por skuadra nga Andorra arriti të kundërpërgjigjej në të dyja rastet, duke bërë që gjithçka të mbetet e hapur për ndeshjen e kthimit.
Drita e nisi ndeshjen në mënyrën më të mirë, duke realizuar që në minutën e 4-t. Hajdin Salihu shënoi me kokë pas një harkimi të William Baeten, për t’i dhënë epërsinë 1:0 skuadrës gjilanase.
Megjithatë, mysafirët reaguan shpejt dhe në minutën e 13-të Domi Berlanga barazoi rezultatin në 1:1.
Para përfundimit të pjesës së parë, Drita riktheu epërsinë. Në minutën e 42-të, Blerim Krasniqi shënoi për 2:1, pas asistimit të Igball Jasharit.
Megjithatë, në pjesën e dytë, Inter D’Escaldes arriti sërish të barazojë. David Lopez përfitoi nga një situatë në zonën e Dritës dhe në minutën e 56-të shënoi për rezultatin përfundimtar 2:2.
Kësisoj, skuadra që do të kalojë në fazën e ligës të UEFA Conference League do të përcaktohet javën e ardhshme.
