Pas ditëve të tensionuara që pasuan humbjen ndaj Bolognas, Antonio Conte rikthehet në qendër të vëmendjes te Napoli. Trajneri ka mbledhur skuadrën në sallën e videove, menjëherë pasi u rikthyen të gjithë lojtarët nga kombëtaret, për një ballafaqim të gjatë dhe të hapur.

Në takim, Conte ka analizuar gabimet e bëra në Dall’Ara dhe është përballur me lojtarët lidhur me deklaratat e tij të forta pas ndeshjes, të cilat shkaktuan një krizë të brendshme dhe më pas ndërhyrjen publike të presidentit De Laurentiis. Mesazh i qartë i trajnerit: “Rifillojmë të gjithë së bashku”.

Conte ka kërkuar një reagim të menjëhershëm, duke e parë ndeshjen kundër Atalantës në “Maradona” si momentin ideal për të treguar se Napoli mund të kthehet ai i titullit kampion: një skuadër e bashkuar, e uritur dhe me zemër.

Por emergjenca dëmtimeve e detyron trajnerin të riformojë edhe një herë formacionin. Pa alternativa në mesfushë, Conte mendon të rikthehet te tridenti: McTominay dhe Elmas pranë Lobotkës, ndërsa Politano dhe Neres do të mbështesin Hojlundin, në kërkim të topave në thellësi.

Në Napoli është koha e reagimit, dhe sfida me Atalantën mund të jetë pika e kthesës që kërkon Conte.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: