Deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu, ka prezantuar në “Kjo Javë” detaje nga një projektligj i ri që synon administrimin dhe përdorimin e pasurive të sekuestruara nga aktivitetet kriminale për qëllime sociale. Sipas tij, nisma parashikon që këto pasuri të përdoren për të mbështetur familjet e policëve të rënë në detyrë, qytetarët që kanë humbur jetën nga përplasjet mes bandave kriminale, si dhe çiftet e reja që përballen me vështirësi për të siguruar strehim në Shqipëri.
Balliu theksoi se në shumë raporte ndërkombëtare Shqipëria konsiderohet një vend kyç për pastrimin e parave, duke pretenduar se një pjesë e madhe e tyre investohen në sektorin e ndërtimit përmes blerjes së apartamenteve. Sipas tij, projektligji synon që pasuritë e krijuara nga krimi të rikthehen në shërbim të shoqërisë dhe të përdoren për të ndihmuar familjet në nevojë dhe për të frenuar largimin e të rinjve nga vendi.
“Në të gjitha raportet ndërkombëtare, Shqipëria është vend kyç për pastrimin e parave. Kartelet shqiptare janë të vetmet që pastrojnë paratë në vendin amë. 90 përqind e tyre pastrohen në fushën e ndërtimit me blerjen e apartamenteve, Vetëm karteli i Çopjave u evidentua që kishte 8 mld euro, kur 9 mld është buxheti i Shqipërisë.
Nga ana tjetër kemi një shoqëri që po vuan shpopullimin sidomos në moshat e reja.
Projektligji sjell një mënyrë për ndarjen e pasurive të sekuestruara në bazë të 3 kritereve. Ligji ka qëllim që pasuritë të shkojnë për familjet e policëve të rënë në detyrë, të atyre qytetarëve që kanë mbetur të vrarë nga përplasjet mes bandave dhe ka qëllim të mbështesë çiftet e reja për t’u dhënë mundësinë të rrinë në Shqipëri me për shembull apartamente që vijnë nga të ardhurat e botës së krimit”, tha Balliu.
