One-man-show, kështu mund të cilësohet pa frikë paraqitja e C.Ronaldo në sfidën përballë Al Wehda. 5 herë fituesi i “Topit të Artë” shpërtheu me një “poker” golash duke bërë që tifozët të shijonin më në fund versionin më të mirë të yllit portugez.
Falë këtij “pokeri”, Ronaldo shkon në kuotën e 503 golave në karrierë vetëm në kampionet ku ka luajtur: 3 gola në SuperLiga portugeze, 103 në Premier League, 311 në La Liga, 81 në Serie A dhe 5 në Saudi Pro League, shifra fantastike pasi këtu nuk llogariten golat në Champions, në Kupa, apo me përfaqësuesen portugeze.
Me këtë sukses të pastër 4-0, Ronaldo dërgon ekipin e tij Al Nassr të vetëm në krye të klasifikimit. Në fund të sfidës, Ronaldo u sigurua që kjo paraqitje e tij të përjetësohet duke marrë topin së bashku me autografe, madje edhe nga arbitri i ndeshjes.
(BalkanWeb)
