Nga: KIÇO BLUSHI*
Sigurisht, të nesërmen e seancës së Kuvendit tonë popullor që për temë qendrore pat përzgjedhur çështjen “Shullazi”, askush ndër ne, qytetarët barngrënës nuk ju vërsul depove të armëve, pasi dëgjoi klithmën alarmante të ish-presidentit, të ish-kryeministrit dhe të ish-kryetarit historik e legjendar të PD-së, zotit Berisha për armatosje dhe për: “Ngrehuni e bjeruni këtyre qeveritarëve kusarë!” …
Habitërisht jeta ndërkohë po rrjedh nëpër rrugë, biznese, shkolla, universitete, spitale dhe lavazhe si në përditshmërinë tonë më se të zakontë. E pra, si mund të shpjegohet kjo? Përse analistët tanë mendjehapur e të përnatshëm nuk po i japin dum e nuk po na shpjegojnë dot këtë enigmë hamletjane: A duhet, apo nuk duhet të vetarmatosemi në këtë situatë?
Askush nuk po e shpjegon dot përse pas thirrjes së Berishës për armatosje nuk u anuluan dasmat dhe as vdekjet….Nëpër kioska nuk u panë grumbuj lexuesish, edhe pse faqet e para të gazetave risillnin klithmën dëshpëronjese të Berishës, shoqëruar më pas me kërkesën e pushtetarëve të inatosur për arrestim, apo edhe për një kontroll të menjëhershëm të shëndetit mendor të protagonistit tonë legjendar…Pronarët e gazetave nuk lajmëruan për ndonjë rritje drastike të tirazheve. Nuk u dëgjua të mblidhej e të thirrej urgjent nga Presidenti i Republikës, Këshilli Kombëtar i Sigurisë, makar edhe ai i Kuvendit, si do të ndodhte në çdo vend normal demokratik. Kryeministri Rama u shfaq sakaq i qetë dhe i relaksuar nëpër ekrane televizive të mbrëmjes teksa na jepte sihariqin e gëzueshëm për ndërtimin e një stadiumi të ri e të prishjes së “Qemal Stafës”…Por as ai dhe as kryetari i SHISH nuk na sqaruan e nuk e panë të udhës të na qetësonin: Flini të qetë, o njerëz, se askurrgjë dramatike nuk ka për të ndodhur! As në PD nuk u mblodhën forumet ku do të përcaktohej njëherë e mirë strategjia e armatosjes, apo, në të kundërt, e mosarmatosjes së popullit dhe nëse kjo situatë e re “politike” do të shërbente si një fillesë domethënëse e “revolucionit demokratik” të premtuar….As Ministria e Mbrojtjes dhe as Shtabi i Përgjithshëm nuk dëgjuam të nxirrnin e publikonin urdhëresa për të përforcuar sigurinë e kazermave dhe të depove ushtarake që qoftëlarg!- të mos na përsëdytej viti 97-të….
E pra, natyrshëm, pas këtyre arsyetimeve, lind kjo pyetje e natyrshme: Mos vallë kjo qetësi, kjo moskokëçarje e kjo mospërfillje “gjithëpërfshirëse” e institucioneve shtetërore e partiake, do të thotë se klithma e Berishës, e kreut real të opozitës, nuk ishte gjë një tjetër veç një tjetër “vrimë në ujë”?
***
Por edhe në qoftë kështu, ky arsyetim logjik nuk është diçka për t’u qetësuar. Aq më pak për t’u gëzuar e kënaqur. Si po shohim, si po shpresojmë e si po dëgjojmë këto ditë, askush nuk e beson që, duke dalë e duke na treguar nenet e Kushtetutës para ekraneve ca qeveritarë e ca deputetë të mllefosur prej deklaratave të Berishës, mbas sodit kanë për t’u inkurajuar edhe ca prokurorë të guximshëm, të cilët, me gjasë, kanë për të firmosur arrestimin dhe kalljen e Berishës në burg “për thirrjet e tij antikushtetuese”… Por askush nga ne qytetarët e zakontë nuk e beson këtë. Madje as krerët më të përbetuar të Rilindjes. Po atëherë përse po bëhet kjo farsë?
Përmbledhtas arsyet mund të presupozohet se janë dy:
1: Që Berisha synon të provojë se ka qenë dhe ka mbetur faktor i padiskutueshëm dhe i vetëm i destabilitetit ( n’daçi edhe i stabilitetit!….) , gjë që i siguron atij automatikisht një imunitet e paprekshmëri të padiskutueshme jo vetëm para shqiptarëve, por edhe nga ndërkombëtarët…
Dhe, 2:
Që edhe Rilindja kësisoj mbetet e kënaqur se kësisoj vetvetiu dilet te ky përfundim: A e shikoni o zgjedhës, o shqiptarë se me çfarë opozite keni të bëni?
Fatkeqësia nuk është se deklaratat e kësollojta të Berishës e kërcënojnë sadopak sigurinë tonë kombëtare, por se ato janë kryekrejt të dëmshme sepse po e lenë shoqërinë shqiptare të zbuluar, të pambrojtur, pa imunitet, d.m.th pa një opozitë të besueshme dhe racionale.
Ky është dëmi më i madh. Mjerisht Berisha dhe ndjekësit e tij, të cilët nuk guxojnë ta kundërshtojnë, apo më së paku të distancohen prej tij, nuk e kuptojnë dot që kësisoj ata nuk po e dëmtojnë Ramën, por po e çimentojnë atë dhe rilindjen e tij me kësi lloj mysybetesh.
(d.d/GSH/BalkanWeb)
