Dhuna në futboll vazhdon të jetë prezent në vendin tonë. Takimi Shkumbini-Dinamo u bë objekt i një tjetër akti vandal ndaj gjyqtarëve, që të sillte në kujtesë atë që ndodhi sezonin e shkuar në Kamëz.

Në përfundimit të sfidës, gjyqtari Sokol Bebja ra pre e një agresioni të rëndë të disa tifozëve vendës, që të pakënaqur me vendimet e tij, kaluan në ekstrem duke e dhunuar atë.

Siç shihet në videon e siguruar nga gazetari Fatmir Popja për “Balkanweb” , agresori ka hyrë në fushë dhe e ka goditur gjyqtarin e takimit Bebja.

Në lidhje më dhunën e ushtruar ndaj arbitrit të takimit, ka reaguar edhe Federata Shqiptare e Futbollit. Në reagimin e FSHF thuhet se agresori / agresorët duhet të dënohen, madje edhe me burg pë këtë rast.

Reagimi i FSHF:

Federata e Futbollit dënon me ashpërsi aktin vandal të dhunimit të arbitrit Sokol Bebja në ndeshjen Shkumbini-Dinamo në qytetin e Peqinit.

FSHF i bën thirrje Policisë së Shtetit të marrë urgjentisht masat për të arrestuar agresorët në fjalë dhe kërkon nxjerrjen e tyre të menjëhershme para ligjit, bazuar në nenin 274/A të Kodit Penal. FSHF garanton se do ta ndjekë deri në fund këtë çështje në të gjitha instancat e drejtësisë.

FSHF nuk do të lejojë në asnjë çast nëpërkëmbjen e autoriteteve sportive dhe ndërhyrjet e huliganëve në dëm të cilitdo në ambjentet sportive.

Reagimi i KF Shkumbini:

KF Shkumbini e ka cilësuar skandaloz gjykimin e ndeshjes  së zhvilluar mesditën  e të shtunën në stadiumin e qytetit të Peqinit midis ekipit të këtij qyteti dhe Dinamos .Sipas KF Shkumbini t nga fillimi deri në mbyllje të kësaj ndeshje, arbitri Sokol Bebja ka manifestuar gjykim të njëanshëm duke favorizuar dukshëm ekipin  e Dinamos.

Kjo tendencë e qëllimshme e tij ka acaruar në maksimum tifozërinë vendase  .Edhe pse tensioni në shkallët e stadiumit për këtë shkak vinte në rritje, gjyqtari Bebja ka vijuar të favorizojë ekipin kundërshtar të Peqinit duke ndëshkuar pa shkak masivisht lojtarët vendas me kartona të verdhë e të kuq duke u bërë mjaft qesharak në disa raste .

Me këtē strategji të paramenduar të tij ai e ka nxjerrë ndeshjen jashtë natyrēs sportive duke e  provokuar dhe cënuar tifozërinë vendase aty ku asaj i dhëmb shpirti më shumë se çdo gjë tjetër. Gjithkush që ka logjikë dhe që flet me arsyen e ndërgjegjes ka të drejtën e Zotit ti kërkojë llogari gjyqtarit Sokol Bebja për provokimin me tendencë të irritimit të lojtarëve tē Shkumbinit dhe mbështetësve të tyre të mrekullueshëm që sakrifikojnë çdo gjë kur flitet për mbështetjen e ekipit të futbollit.

Duke qenë se ky gjyqtar kaloi në ekstrem çdo gjë në dëm të ekipit të Shkumbinit tifozëria nuk ka gjetur mundësi vetëpërmbajtje në shkallët e stadiumit duke kontestuar vazhdimisht vendimet skandaloze të Bebjas. Pretendimi për dhunë fizike barbare ndaj tij është kulmi i poshtërimit që synohet ti bëhet ekipit të Shkumbinit. Edhe personi që është futur në fushë i është afruar i revoltuar duke i kërkuar llogari për maskaradën e bërë në fushë me gjykimin. Ai gjatë tentativës së tij për ti bërë presion psikologjik nga afër është larguar forcërisht nga forcat e sigurisë së caktuar për mbarëvajtjen e ndeshjes. Po kështu edhe disa persona të tjerë të futur në fushë kanë patur si qëllim evitimin e përplasjeve fizike dhe askush prej tyre nuk ka dhunuar gjyqtarin. Por në opinionin sportiv prej disa orësh jo vetëm që nuk po thuhet e vërteta rreth gjykimit skandaloz , por po spekullohet duke i faturuar KF Shkumbinit një ngjarje që nuk ka ndodhur ,sikurse pretendon nëpërmjet një deklarate

Shoqata e Arbitrave sipas të cilës është dhunuar gjyqtari Sokol Bebja. Kjo shoqatë para së gjithash duhet të penalizojë Bebjan për nivelin skandaloz të gjykimit dhe të mos tolerojë më raste të tilla. Ndërsa përsa i takon zbatimit të ligjit për dhunën në stadiume ne jemi më të interesuar sesa Shoqata e Arbitrave dhe kushdo tjetër.Ne do të vëmë në dispozicion të kujdo pamje të rasteve të gjykimit të njëanshëm dhe tendecioz të këtij gjyqtari. KF Shkumbini nuk mund të pranojë të hidhet baltë mbi punën dhe investimin e këtij qyteti për rikthimin e futbollit në elitë. Ne shpresojmē se dirigjuesve  të kësaj komedie të shëmtuar do ju dalë boja dhe do turpërohen si askush më parë në opinion publik.

(d.xh/ Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb