Minatorët e ndërrimit të dytë të Trepçës kanë dalë nga miniera para rreth tri orësh, pasi kishin qëndruar të ngujuar përreth 7 orë.
Ngjarja kishte ndodhur si pasojë e një defekti në furnizimin me energji elektrike, i cili kishte pamundësuar daljen e tyre nga miniera.
Kryetari i Sindikatës së Minatorëve, Ibrahim Januzi, ka deklaruar për KosovaPress se në momentin kur kishte folur për media nuk kishte informata të plota për situatën.
“Për shkak të një defekti në energji elektrike ka mbetur i ngujuar ndërrimi i dytë. Nuk kam shumë informata, sepse ende nuk jam njoftuar nga askush. Edhe unë këtë e kam kuptuar nga lajmet,” kishte thënë ai.
Kujtojmë se edhe më 11 janar të këtij viti, si pasojë e ndërprerjes së energjisë elektrike brenda minierës, pesë pompistë kujdestarë kishin mbetur të ngujuar për rreth 8 deri në 9 orë. /Kosovapress/
