Vijon të mbetet e bllokuar pranë bregut të Tales, në Lezhë, anija me flamur të Tanzanisë, si pasojë e dallgëve të forta që përfshinë Detin Adriatik një ditë më parë.

Anija M/V “BESART”, me 6 persona në bord, ka qenë e ndaluar fillimisht në zonën e Kepit të Rodonit.

Për shkak të kushteve të përkeqësuara të motit dhe mosmbajtjes së spirancës, ajo ka devijuar drejt bregdetit të Lezhës, duke u zhvendosur fillimisht në drejtim të Kunës dhe më pas në afërsi të Tale 2, ku edhe përfundoi shumë pranë vijës bregdetare, duke mbetur e bllokuar.

Ndërhyrja për nxjerrjen e saj paraqitet e vështirë, për shkak të dallgëzimit ende të lartë në det, por edhe përmasave të anijes, që e bëjnë të komplikuar tërheqjen.

Aktualisht, ekuipazhi vijon të qëndrojë në bord, në pritje të orientimeve dhe vendimeve për veprime të mëtejshme.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb