Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka vijuar akuzat e forta në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të PD, duke folur për një tjetër rast të rëndë që, sipas tij, lidhet me Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI).

Berisha deklaroi se pengu i dytë ishte Daniel Shima, ish-zëvendësdrejtori i AKSHI-t, të cilin e cilësoi si pjesë të asaj që ai e quajti “sipërmarrja familjare e Edi Ramës”. Sipas tij, Shima është thirrur për rreth shtatë orë në SPAK, ndërsa menjëherë pas daljes nga institucioni, drejtoresha e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj, ka firmosur shkarkimin e tij nga detyra.

“Një ditë më pas, Daniel Shimën e rrëmbejnë në mes të bulevardit, me të njëjtën skemë si Gerond Meçen”, u shpreh Berisha, duke shtuar se ai është dërguar në bodrumet e Suel Çelës, ku sipas pretendimeve të tij, është dhunuar rëndë.

Kreu i PD tha se Shima i ka shpëtuar ngjarjes vetëm falë një mesazhi që ka arritur të dërgojë, ndërsa më pas është kthyer në shtëpi. Berisha theksoi se, sipas tij, deri më sot askush nga policia apo prokuroria nuk ka kontaktuar me të për të hetuar ngjarjen.

Ai akuzoi drejtpërdrejt Ergys Agasin si organizator të rrëmbimeve, duke e lidhur atë si me rastin e Gerond Meçes, ashtu edhe me atë të Daniel Shimës. “Krimi është kryer nga familja”, deklaroi Berisha, duke ngritur shqetësimin se ngjarje të tilla mund të përsëriten.

Në përfundim, kreu i PD ngriti pyetjen nëse opozita dhe shoqëria duhet të qëndrojnë pasive përballë këtyre ngjarjeve, duke i cilësuar ato si një rrezik serioz për rendin, sigurinë dhe shtetin e së drejtës.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb