Dashnor Sula është prezantuar zyrtarisht në detyrën e Kryeinspektorit të Përgjithshëm, në një ceremoni ku ishte i pranishëm krah ministres Delina Ibrahimaj.

Ish-deputeti i Partisë Demokratike mbajti fjalën e tij të parë pas marrjes së detyrës, duke e cilësuar këtë moment si të veçantë dhe një sfidë personale e profesionale. Ai falënderoi stafin për pjesëmarrjen dhe theksoi se i konsideron të gjithë kolegë, pa dallime pozicionesh apo funksionesh.

“Çdo person që kryen një funksion ka një detyrë për të përmbushur në bazë të ligjit dhe do të jetë në raport të drejtpërdrejtë me mua”, u shpreh Sula, duke garantuar korrektësi dhe bashkëpunim institucional.

Ai vlerësoi gjithashtu punën e paraardhësit në detyrë, zotit Shkëlqim Hajdari, dhe kontributin e stafit ndër vite, ndërsa premtoi përkushtim maksimal në ushtrimin e funksionit. Sula theksoi se do të jetë i angazhuar 24 orë në ditë për çdo problem apo informacion që lidhet me detyrën.

Në fjalën e tij, Kryeinspektori i ri u ndal edhe te raportet me drejtuesit politikë dhe institucionalë, duke nënvizuar se, pavarësisht përballjeve politike të së kaluarës, bashkëpunimi ka pasur gjithmonë në fokus interesin e vendit.

“Përkushtimi do jetë maksimal, edhe nga pikëpamja formale e orarit deri te ora që mbyllet dhe unë ju garantoj se do jem 24 orë për cdo problem që do ketë dikush për të informuar apo për të dhëna që duhet kontakt. Padiskutim edhe me ministren dhe kryeministrin. Gjej rastin në këtë moment sinqerisht, pavarësisht se me zonjën ministre dhe ish-kolegen Gjylameti dhe kryeministrin Rama kemi qenë përballë njëri-tjetrit, kurrë nuk e kemi parë njëri-tjetrin si armiq, por për të çuar diçka më para për Shqipërinë. Për mua kjo detyrë nuk është privilegj, por një përgjegjësi jashtëzakonisht e madhe. Është një sfidë dhe një ‘dorashkë e hedhur’ për të përmbushur këtë mision”, deklaroi ai.

 

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb