I ftuar në studion e emisionit “Log.” në News24, analisti Lorenc Vangjeli komentoi ngjarjet e sotme në seancën parlamentare e cila përfundoi brenda 25 minutash.
“Kryeministri lëshoi brezin përtokë dhe priti kush do e shkelte. Opozita, reflektive si gjithmonë, e shkeli. Palët u duk sikur ndanë barazim,” tha Vangjeli me një metaforë për mënyrën si nisi dhe përfundoi seanca.
Ai nënvizoi se, në vend të një debati të thellë për programin e ri qeverisës, ajo që ndodhi ishte një riciklim i akuzave të vjetra nga opozita dhe një ikje e shpejtë nga përgjegjësitë dhe orët e gjata në Parlament nga mazhoranca.
“Njëra palë shmangu 25 orë aty dhe qëndroi vetëm 25 minuta, ndërsa opozita ricikloi të njëjtat akuza. Kush humbi? Sërish publiku, që nuk dëgjoi asgjë,” deklaroi Vangjeli.
Ai vuri theksin te mungesa e përmbushjes së detyrimeve kushtetuese nga Kryeministri, duke e cilësuar si një devijim nga neni 97 i Kushtetutës.
“Kryeministri duhet të përmbushte detyrimin kushtetues. Si më i forti në atë sallë, ai duhej të kishte marzhin më të madh të durimit dhe kompromisit. Duhej të duronte edhe diçka më shumë nga opozita,” u shpreh ai.
Duke bërë një kthim pas në kohë, Vangjeli solli në vëmendje vitin 2013, kur sipas tij, “Rama bëri një martesë të lumtur me Parlamentin, por siç ndodh shpesh në dashuritë e mëdha ajo u rrëzua dhe u frakturua”.
“Kryeministrin do e shihni sërish në Parlament pas 6 muajsh, vetëm nëse nuk ndodh ndonjë gjë e jashtëzakonshme,” paralajmëroi analisti, duke ngritur pikëpyetje mbi funksionimin real të legjislativit.
