Deputetët e PD janë përplasur pasditen e sotme me kryetarin e Kuvendit Niko Peleshi, lidhur me praninë e punonjësve të Gardës së Republikës brenda sallës plenare.
Debati nisi pasi deputetja Albana Vokshi kërkoi largimin e Gardës, duke e cilësuar të papranueshme praninë e saj brenda sallës së Kuvendit dhe duke thënë se një praktikë e tillë nuk ekziston në parlamentet e tjera.
“Aty keni vënë një punonjës të Gardës, kjo është skandaloze. Në asnjë parlament të botës nuk ka punonjës të Gardës brenda sallës. Nga kush ruheni, nga ne?”, deklaroi Vokshi, duke kërkuar trajtim më miqësor ndaj opozitës.
Në debat u përfshinë edhe deputetët Gazment Bardhi dhe Gent Strazimiri, të cilët iu bashkuan kërkesës për largimin e Gardës nga ambienti i sallës plenare.
Nga ana e tij, Niko Peleshi u shpreh se Garda e Republikës është pjesë e masave të sigurisë dhe se vendosja e saj në Kuvend është praktikë e hershme institucionale.
“Pse u kujtuat sot pas 36 vitesh? Garda ka qenë historikisht në këto pozicione”, tha Peleshi, duke shtuar se organizimi i sigurisë nuk është në target të drejtpërdrejtë të kryetarit të Kuvendit.
Debati u shoqërua me tensione në sallë, ndërsa seanca vijoi mes ndërhyrjeve të shumta nga deputetët e opozitës.
