Një debat mes ekspertëve është zhvilluar në studion e emisionit Open në News 24 në lidhje me konfliktin në Gaza, veçanërisht pas sulmeve izraelite mbi Rafah.

Politikani Genc Pollo tha se në Gaza ka krime lufte, por jo gjenocid. Pedagogu Beqa nga ana e tij tha se Izraeli ka pasur një sërë avantazhesh deri tani në luftë, por se po humbet edhe ato.

Genc Pollo: Gjenocidi është shfarosje. Gjenocid ishte ndoshta në Jugosllavi kundër boshnjakëve apo kosovarëve. Mund të jetë krime kundër njerëzimit, por nuk është gjenocid. Kjo sepse gjenocidi nënkupton shfarosje të popullit, një situatë akoma më e keqe. Qasjet ndryshojnë nga vendi në vend. Sa herë ka luftë ka rryma pro dhe kundër. Debati është që palestinezët a do të mund të jetojnë qetë dhe Izraeli të jetë i qetë. Përpara disa kohësh, Azerbajxhani largoi 250 mijë njerëz armenë dhe askush nuk reagoi. Palestinezët duhet të jetojnë të lirë në zonat e tyre.

Justinian Topulli: Unë jam afër të djathtës. Fakti që e majta e mbështet çështjen e Palestinës nuk ka ndonjë lidhje. Nuk është vetëm çështje ideologjie. Izraeli dezinformon në mënyrë të vazhdueshme. Më vjen keq që e fut në kallëp ideologjik.

Mentor Beqa: Fared Zaharia tha se Izraeli është angazhuar në akte gjenocidale. E thonë ekspertët që merren me akte gjenocidale. Izraeli ka avantazh moral, sepse është popull i shtypur në të kaluarën, ku janë ekzekutuar 6 milionë njerëz nga Hitleri. Edhe ky avantazh mund të humbet shumë shpejt. Izraeli ka pasur mbështetjen gjithmonë të Amerikës, ndërsa tani edhe në Uashington ka nisur të diskutohet mbështetja për shtetin e Izraelit. Izraeli sot është në kushte të vështira.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb