Në mbledhjen e sotme në grupin parlamentar të PS në ambientet e Pallatit të Brigadave, ka pasur edhe momente tensioni. News24 dhe BalkanWeb mësojnë se mes kryeministrit Edi Rama dhe Elisa Spiropalit ka pasur debate me tone të forta.

Sipas informacioneve, Rama i ka tërhequr vëmendjen Spiropalit gjatë një momenti kur kjo e fundit ka qenë duke përdorur telefonin, teksa po raportonte drejtoresha e Kadastrës, Lorena Goxhobelli.

“Pak më shumë respekt për deputetët, mos na fol ashtu se jemi deputetë”, mësohet të ketë thënë Spiropali, duke i tërhequr vëmendjen zyrtares së Kadastrës.

Gjithashtu ky moment tensioni ka vijuar edhe në një rast tjetër, kur ishte duke raportuar ministrja e Shtetit për Parlamentin, Erjona Ismaili, dhe Spiropali mësohet se ka nënqeshur. “Ka ndonjë gjë për të qeshur këtu?”, mësohet t’i jetë drejtuar Ismaili, Spiropalit, që më pas është mbështetur edhe nga kryeministri Edi Rama. Kreu i qeverisë i ka thënë Spiropalit se s’mund të ndërhyjë ndërsa flet ministrja.

Rama i ka tërhequr vëmendjen Spiropalit duke i thënë të ketë kujdes dhe të mos flasë.

“Gjërat duhen marrë me përgjegjësi dhe komunikimi ka po ashtu rëndësi dhe nuk është gjë për t’u marrë me të qeshur. Kështu e morën me të qeshur para 12 vitesh disa, edhe kur fliste Endri Fuga, por disa prej tyre nuk janë këtu”, ka thënë Rama.

Ndërsa nga ana e saj Spiropali i është drejtuar kryeministrit; “Thuaje çfarë ke për të thënë”.

Gjithashtu, Spiropali ka kërkuar nga ministrja për Parlamentin, Erjona Ismaili që të kërkojë ndjesë për sjelljen dhe tonet e përdorura nga ana e saj, gjatë replikave.

Ka qenë ndërhyrja e Erion Braçes që ka qetësuar tensionet mes Ramës dhe Spiropalit.

Në fakt, mbledhja e socialistëve pritej të mos ishte e qetë, pasi që në nisje të saj u pa se Elisa Spiropali ishte ulur në fund të sallës. Ndërsa në rreshtat e parë ishin anëtarët e kabinetit qeveritar, funksionarë të PS dhe deputetë.

***

Pak ditë më parë, Spiropali replikoi me Taulant Ballën pas deklaratës së këtij të fundit, për mungesën e ish-ministres së Jashtme, gjatë seancës së 12 marsit në Kuvend kur u votua për imunitetin e Belinda Ballukut. Me forcën e kartonëve, mazhoranca socialiste rrëzoi me 82 vota kërkesën e SPAK.

Balla tha se mungesa e Spiropalit do të diskutohej gjatë mbledhjes së grupit parlamentar socialist.

“Nuk i marr vetëm vendimet, i marr me grupin parlamentar. Që kështu do ta pyes dhe grupin parlamentar për këtë çështje”, tha ai.

Por nuk vonoi përgjigjja e Elisa Spiropalit e cila duke shprehur gatishmërinë, kërkoi që të flitej troç në mbledhjen më të parë të grupit socialist:

“Nëse çështja kërkon konsultim me grupin parlamentar, atëherë është pikërisht ajo që duhet bërë pa vonesë. Thirre grupin dhe zhvillojmë një diskutim të plotë. Vendimmarrja kolektive është forca e grupit të PS dhe garancia e legjitimitetit politik. Çdo qëndrim që del nga një diskutim i hapur, i troçtë dhe i ndërgjegjshëm, meriton respekt, pavarësisht drejtimit që merr”, shprehej Spiropali.

Zhvillimet e kësaj të shtune në grupin socialist, por edhe episodet e ditëve të kaluara, tregojnë për një situatë aspak të qetë në radhët e mazhorancës.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb