Seanca e fundit gjyqësore në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ndaj ish-presidentit Ilir Meta dhe ish-bashkëshortes së tij, Monika Kryemadhit, u zhvillua me debate të forta.
Pas përfundimit të seancës, avokati mbrojtës i Metës, Kujtim Cakrani, dha detaje nga dinamika e zhvillimeve brenda sallës së gjyqit. Ai deklaroi se gjatë seancës pati mosmarrëveshje me prokurorët, të cilët sipas tij paraqitën akuza të paqarta dhe të pasakta.
“Debati ka qenë për të saktësuar personat dhe vendet, në mënyrë që gjykata të kuptojë për çfarë bëhet fjalë. Deri më sot, as gjykata nuk ka kuptuar gjë,” tha Cakrani, duke shtuar se pala mbrojtëse është detyruar të bëjë sqarime për të qartësuar relacionin e prokurorëve. Ai theksoi se shpesh pas paraqitjes së argumenteve, prokurorët përfundojnë me frazën “ky është mendimi ynë”.
Avokati theksoi se akuzat nuk qëndrojnë dhe nuk ka vepra penale, duke deklaruar se çështja do të bjerë. Ai konfirmoi se në seancën e ardhshme, mbrojtja do të paraqesë pretendimet e saj për papranueshmëri dhe pavlefshmëri të akuzave dhe garantoi se Ilir Meta do të vijojë të jetë transparent ndaj publikut për çdo detaj të çështjes.
