Parashikimi për rritjen e tarifave me 30 për qind për studentët në buxhetin afatmesëm dhe paaftësia e buxhetit të Ministrisë së Arsimit për të mbuluar pagat e pedagogëve kanë ngjallur debate të ashpra në Komisionin parlamentar të Ekonomisë.

Ndërsa, një tjetër shqetësim është ngritur sa i përket uljes së buxhetit të kësaj ministrie, me 16 milionë dollarë në krahasim me vitet e mëparshme, çka sipas deputetit Ridvan Bode, nuk mund të ofrojë kurrsesi cilësi. Opozita ka akuzuar ministren e Arsimit, Lindita Nikolla, se ka rritur tarifat për arsimin e lartë me rreth 30%, ndërsa nuk parashikohet asnjë fond për ndërtimin e shkollave të reja. Ky fakt është cilësuar një gënjeshtër nga ministrja Nikolla.

“Sipas programit buxhetor afatmesëm, tarifat e arsimit të lartë të parashikuara nga ministria të paktën deri vitin tjetër rriten me 30%”, – tha Jorida Tabaku.

“Duke parë një skemë të buxhetit afatmesëm unë ngre që 30% është rritja vetëm në tarifa. Jo moj zonjë, ligji i ri i arsimit të lartë krijon një mundësi të re të shtuar për universitetet”, – u përgjigj ministrja Nikolli.

Dje në komision u diskutua edhe buxheti për Ministrinë e Transporteve. Buxheti i shtetit për vitin e ardhshëm nuk parashikon asnjë fond për ndërtimin e Rrugës së Arbrit edhe pse ishte një premtim i qeverisë. Kështu u shpreh ministri i Transporteve, Sokol Dervishaj, gjatë raportimit në Komisionin e Ekonomisë dhe Financave. Dervishaj tha se për vitin e ardhshëm nuk parashikohet asnjë rrugë për t’u dhënë me koncesion, ndërsa pranoi se cilësia e rrugëve ndikon në numrin e aksidenteve.

Kreu i Transporteve kërkoi më shumë fonde për Unazën e Madhe në Tiranë. Edhe pse Rruga e Arbrit është një projekt i rëndësishëm dhe një prej premtimeve kryesore të qeverisë “Rama” në zgjedhjet e fundit vendore të Dibrës, për ndërtimin e saj nuk parashikohet asnjë fond i posaçëm në buxhetin e vitit të ardhshëm.

(Gazeta Shqiptare)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb