TIRANË

Shtyhet sërish seanca në Gjykatën Kushtetuese për shkarkimin e Presidentit të Republikës, vendim i parlamentit. Seanca e radhës u vendos për më 7 shkurt në orën 10:00. Pas parashtrimit nga palët dhe pyetjet e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, kjo e fundit u tërhoq për vendim pasi Përfaqësuesi ligjor i Presidentit të Republikës Bledar Dervishaj kërkoi kohë për t’u konsultuar me Kreun e Shtetit për përgjigjet.

Seanca në Gjykatën Kushtetuese për shqyrtimin e kërkesës së mazhorancës për shkarkimin ose jo të Presidentit të Republikës, Ilir Meta nisi në orën 10:00. Gazetarja Klodiana Lala raporton për “BalkanWeb” se përfaqësuesit e Presidentit Meta mbërritën në seancë me një dosje voluminoze dhe dhanë argumentet e tyre mbi çështjen.

Kjo ishte eanca e dytë, pas asaj të zhvilluar dy ditë më parë, e cila përfundoi pas shumë orësh pa një vendim. Nga ambientet e Gjykatës Kushtetuese, gazetarja Klodiana Lala raportoi për “BalkanWeb” se edhe seanca e sotme pritet të mbyllet pa një vendim final për fatin e Presidentit Meta, për shkak se si përfaqësuesit e Kreut të Shtetit, ashtu edhe gjyqtarët, do duan kohë.

Edhe kjo seancë pritet të jetë e gjatë dhe me shumë debate, ku tashmë ka nisur me avokatët dhe ekipin mbrojtës të Presidentit, të cilët pritet të japin të gjitha argumentet e tyre mbi çështjen. Më tej, ata do të njihen me pyetjet e relatorëve dhe gjyqtarëve, dhe siç raporton gazetarja Lala, ata do të kërkojnë kohë për t’u përgjigjur.

Por, edhe gjyqtarët do të duan kohë për të marrë vendimin final ndaj Presidentit, pasi ky nuk është një vendim që lidhet me emrin e Ilir Metës, por me mënyrën si funksionon Kreu i Shtetit dhe deri ku shtrihen kompetencat e Presidentit, gjë që do të vlejë edhe për emrat që do të drejtojnë këtë institucion në vijim.

Ndërpritet seanca në Kushtetuese, Gjykata i jep kohë Presidentit për përgjigjet
Ora 13:00- Ka zgjatur rreth 3 orë seanca e sotme në Gjykatën Kushtetuese për shqyrtimin e vendimit të parlamentit për shkarkimin e Presidentit të Republikës.
Gjykata Kushtetuese nisur nga natyra e gjykimit dhe mban parasysh kërkesë për 48 orë kohë të përfaqësuesve të presidentit, shtyn seancën e radhës ditën e hënë në orën 10:00.

Dervishaj: Duam kohë për t’u konsultuar me Presidentin, GJK tërhiqet për vendim
Ora 12: 45- Gjykata Kushtetuese është tërhequr për vendim pasi Përfaqësuesi ligjor i Presidentit të Republikës Bledar Dervishaj ka kërkuar kohë për t’u konsultuar me Kreun e Shtetit për përgjigjet. Gazetarja Klodiana Lala raportoi për “BalkanWeb” se GJK do të vendosë se sa kohë do i japin ekipit të Presidentit për t’u përgjigjur.

Seanca në Kushtetuese/ Zbardhen pyetjet e gjyqtarëve për përfaqësuesit ligjorë të Presidentit Meta
Ora 12:40- Zbardhen disa nga pyetjet e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese për përfaqësuesit ligjorë të Presidentit në seancën e sotme ku shqyrtohet shkarkimi i Kreut të Shtetit. Gazetarja Klodiana Lala raportoi për “BalkanWeb” se vetëm gjyqtari kushtetues Përparim Kalo, i cili është relator i çështje ka bërë mbi 30 pyetje.

FJONA PAPAJORGJI
4 muajt e fundit Kuvendi s’mund të ngrejë komisione hetimore. Nuk mendoni se duhet të përdoret ndonjë formulim tjetër në këtë pikë të nenit?
Ka ndonjë kufizim tjetër për kuvendin, qoftë dhe në periudhën fundore të mandatit të tij?
Në lidhje me pretendimin tjetër që keni ngritur për mosmarrëveshjen kushtetuese dhe kërkoni ndërhyrjen e gjykatës për zgjidhjen e saj. Mendoni se mënyra e ngritjes së kësaj mosmarrëveshje është e duhura?
Neni 90 pika 2 e kushtetutës parashikon togfjalëshin “shkelje e rëndë e kushtetutës”. Ju thatë s’ka asnjë fakt apo dispozitë për shkelje të Kushtetutes…ju pretendoni se s’ka lidhje fare shkelje të Kushtetutës, apo s’ka shkelje të rëndë të saj?

ELSA TOSKA
Ju kërkoni shfuqizimin e vendimeve të Kuvendit, duke u marrë vetëm me anën procedurale, por nuk merreni me përmbajtjen. Përse ky qëndrim i juaji?
Presidenti gjatë periudhën zgjedhore ka krijuar një platformë “denonco zgjedhjen”. Mund të na thoni nëse ka praktika të ngjashme nga presidentët e mëparshëm? A mendoni ju që ky portal mbivendosje të kompetencave te institucioneve?

Presidenti është subjekt i pakushtëzuar që mund të vërë në lëvizje Kushtetutën. Për një nga vendimet që GJK ka dhënë vjet. Meta reagoi me shkresë për gjyqtarët kushtetues. Pyetja është si e kupton presidenti rolin e tij si subjekt i pakushtëzuar dhe si e sheh ai rolin e gjyqtarit kushtetues?
Pse zgjodhi Presidenti i Republikës të shkojë fizikisht në selinë e një partie politike?
Me çfarë lloj metodologjie mund të matet rritja apo ulja e autoritetit si përfaqësues i unitetit të popullit? Cilat do të ishin ata parametra që mund të na bënin ne që përmes disa akteve apo qëndrimeve autoriteti i presidentit është rritur dhe nuk është ulur?
Ju mbi çfarë parametrash do ta vlerësonit institucionin e presidentit nëse me të njëjta sjellje dhe qëndrime për të cilat kuvendi e ka shkarkuar, presidentit nuk i është ulur autoriteti, por i është rritur?