Kryetari i Grupit Parlamentar Socialist, Taulant Balla, në Konferencën e Kryetarëve të Kuvendit u shpreh se opozita nuk mund të pengojë reformat zgjedhore dhe territoriale, duke theksuar gatishmërinë e mazhorancës për bashkëpunim.

Balla theksoi se Komisioni i Posaçëm i Reformës Zgjedhore duhet të zbatojë rekomandimet e OSBE-ODIHR-it, me fokus të veçantë tek depolitizimi i administratës zgjedhore, duke garantuar që partitë të votohen dhe të numërohen nga organet e pavarura, jo nga vetë partitë. Ai theksoi gjithashtu nevojën për shkurtimin e kohës së numërimit të votave, duke sugjeruar që numërimi të mos kryhet në vendvotime.

Balla iu drejtua opozitës: “Mos humbisni kohë me thirrje dhe alibi për humbje të radhës. Nëse tërhiqeni nga komisionet, kjo do të konsiderohet shkelje e marrëveshjes dhe ne do të vazhdojmë pa ju”. Ai theksoi gjithashtu se opozita ka pasur 48 orë diskutime në seancë plenare, ndërsa shumica 40 orë, duke i bërë thirrje të gjitha palëve që të përqendrohen tek reformat përpara zgjedhjeve vendore të 2027-s.

“Zonjat dhe zotërinjtë e opozitës,
Mos humbisni kohë kot me thirrje dhe përbetime revolucionesh që nuk kanë për të ndodhur.
Mos humbisni kohë kot as me “shtrimin e tapetit” të alibisë për humbjen e radhës.

Jemi të gatshëm të bashkëpunojmë me ju plotësisht për t’i dhënë Shqipërisë një Kod të ri Zgjedhor sipas standardeve më të mira zgjedhore, Ndarje Administrative Territoriale funksionale, e gjithçka tjetër.

Duhet ta fiksoni mirë në mendje se ju nuk mund te bllokoni reformat. Kemi bere nje marreveshje ne sesionin e kaluar per ngritjen e komisioneve. Nese ju sot thoni terhiqeni nga komisionet kjo është shkelje e marrëveshjes në mënyrë te njëanshme. Ne do të detyrohemi të vazhdojmë punën dhe pa ju.

Komisioni i Posaçëm i Reformës Zgjedhore duhet të adresojë rekomandimet e OSBE-ODIHR-it ku përparësi të veçantë ka depolitizimi i plotë i administratës zgjedhore. Duhet të marrë fund kjo qasje e papranueshme për një vend anëtar të BE, partitë votohen, partitë numërojnë.
Gjithashtu të gjithë ia themi njëri tjetrit majtas-djathtas, në ato netët pafund të numërimit në oakkatet e sportit apo palestrat e shkollave, sa herë kemi zgjedhje. Dhe këtu duhet ta ripërsërisim me zë të lartë nevojën e nxjerrjes së rezultatit të zgjedhjeve në një kohë më të shkurtër, pse jo të mos kryhet numërimi në qendrat e votimit.

Fakti është se qoftë për komisionet zgjedhore partiake, qoftë për vonesën në nxjerrjen e rezultatit zgjedhor, koha nuk pret më as për zgjedhjet vendore 2027.
Reforma zgjedhore sa i përket Kodit Zgjedhor kërkon të paktën 84 vota në Kuvend. Por ne e kemi bërë publike ambicjen tonë për një reformë më të thellë e cila të përfshijë edhe zvogëlimin e numrit të deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë në të paktën 100 apo 101 deputetë.

Dëgjova zotin Gjekmarkaj se opozitës i eshtë mohuar e drejta e fjalës. Ka nje indikator shumë domethënës nga sesioni i kaluar. Koha e diskutimeve. Opozita ka marrë 48 orë diskutime, shumica bashkë me Qeverinë 40 orë diskutime në seancë plenare.”, tha Balla.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb