Nga: DARINA TANUSHI
TIRANE – Deputetët socialistë duhet të marrin më parë lejen e kryetarit të grupit parlamentar, Gramoz Ruçi, përpara se të largohen për vizita jashtë vendit. Kryeministri Edi Rama ishte i prerë dje, në mbledhjen e grupit parlamentar socialist, kur u ka kërkuar deputetëve, ndoshta për herë të fundit deri në përfundim të mandatit të këtij Kuvendi, që të mos mungojnë veçanërisht në seancat e së enjtes.

“Po kthehet në një problem për miratimin e ligjeve”, mësohet të jetë shprehur kryetari socialist, i cili u ka thënë ligjvënësve socialistë se duhet të intensifikojnë kontaktet me qytetarët. “Ministrat janë aty, por pa të drejtë vote, ndërsa deputetët që kanë votën mungojnë. Gramoz, duhet një menaxhim më i mirë i delegacioneve jashtë vendit. Të gjithë deputetët duhet të komunikojmë me kryetarin e grupit për vizitat jashtë vendit. Kjo situatë na ka sjellë e mund të na sjellë probleme me votimin e ligjeve”, – mësohet të jetë shprehur kryeministri.

Burimet nga mbledhja me dyer të mbyllura e grupit parlamentar bënë me dije se kryeministri Edi Rama u ka kërkuar deputetëve të takojnë elektoratin, të qëndrojnë pranë shqetësimeve të tyre. Një nga detyrat që kreu socialist u ngarkoi deputetëve ishte edhe sqarimi i reformave të qeverisë te qytetarët. I ndërgjegjshëm se jo të gjithë i përshëndesin ato, kreu i qeverisë u kërkoi ligjvënësve që të argumentojnë çdo reformë të bërë në këta 3 vjet. Kështu deputetët, veç punës në parlament, në komisione dhe në seancë të enjten, duhet që prej ditës së premte të nisen çdo javë në bazë për të qenë më afër komunitetit.

Kryetari i PS-së, njëherësh edhe kryeministër, kërkoi që vëmendja e deputetëve të përqendrohet edhe te legalizimi i tokave veçanërisht në fshat, por edhe te marrja e kredive nga ana e fermerëve, të cilët mund të përfitojnë nga Fondi i Garancisë. Pas turit të fundjavës në qarkun e Gjirokastrës, ku u takua me fermerë të zonës, Rama mësohet të jetë shprehur se “ne kemi pasur një plan shumë të qartë për legalizimet, se kemi qenë të parët që kemi folur për këtë çështje”, duke u kujtuar deputetëve që të kujdesen që ky proces të vijojë vrullshëm, deri në përfundim të mandatit të parë qeverisës, për të përmbushur një prej premtimeve të dhëna. Në mbledhjen e djeshme të grupit parlamentar foli edhe kryetari i Komisionit parlamentar të Ligjeve, Fatmir Xhafaj, i cili kërkoi që në seancë të votohet sa më parë ligji i shtyrë prej disa javësh “Për organet e qeverisjes së drejtësisë”, ku përcaktohet zgjedhja e anëtarëve të KLGJ e KLP.

Xhafaj ka nënvizuar nevojën që të nisë sa më parë implementimi i kësaj reforme, ndaj kërkoi që të kalohet edhe ky ligj, për të plotësuar listën e 7 ligjeve të domosdoshme për reformën. Deputetja Arta Dade, mësohet se ka ngritur shqetësimin e një fëmije, në një nga fshatrat e Kolonjës, i cili bënte rrugë të gjatë për t’u shkolluar. Dade ka thënë se ishte marrë personalisht me zgjidhjen e problemit të fëmijës, por kërkoi që “të evidentohen të gjitha shqetësimet nëpër zonat rurale, të cilat për shkak të paaftësisë së drejtuesve lokalë bëhen problematike në komunitet”.

Diskutimet në grupin e PS
Edi Rama: Ajo që dua të ndaj sot me ju është një shqetësim i përhershëm i ngritur në mbledhjet e grupit, mungesat e shumta të deputetëve në seancat e parlamentit. Ministrat janë aty, por pa të drejtë vote, ndërsa deputetët që kanë votën mungojnë. Gramoz, duhet një menaxhim më i mirë i delegacioneve jashtë vendit. Të gjithë deputetët duhet të komunikojmë me kryetarin e grupit për vizitat jashtë vendit. Kjo situatë na ka sjellë e mund të na sjellë probleme me votimin e ligjeve.
Jemi në fund të mandatit dhe shumë shpejt vijnë zgjedhjet. Duhet të intensifikoni kontaktet me qytetarët, keni për detyrë të sqaroni, të argumentoni reformat e bëra nga qeveria në këta 3 vjet. Një nga çështjet që duhet të ndiqet me prioritet në këtë periudhë është ajo e legalizimeve të tokave në fshat. Duhet intensifikim i legalizimit të tokave.
Gramoz Ruçi njofton projektligjet që do të jenë në seancë të enjten.
Fatmir Xhafaj: Është e nevojshme të nisë implementimi i reformës në drejtësi. Ne miratuam ligjet kryesore të kësaj reforme, por kemi ende një ligj që ka mbetur pa u miratuar në seancë, ligji për organet e qeverisjes së drejtësisë. Mendoj se nuk duhet të vonohemi më për miratimin e këtij ligji në parlament.
Arta Dade: Unë u njoha në Kolonjë me vështirësinë e një fëmije, që si ai mund të ketë me dhjetëra e qindra të tjerë në Shqipëri, që nuk ka me çfarë të shkojë në shkollë dhe që bën një rrugë rraskapitëse drejt dijes. Ky fëmijë mund të mbetej pa shkollë, sepse as mësim nuk mund të bëhej në fshatin e tij dhe as furgoni nuk e merrte dot. Dhe kjo vinte vetëm si paaftësi e drejtuesve lokalë të arsimit. Këtë e zgjidha vetë, duke e futur në shkollë në Ersekë dhe në konviktin e shkollës. Por e ngre këtë shqetësim që të evidentojmë të gjithë nëpër zonat tona raste, të cilat për shkak të paaftësisë së drejtuesve lokalë bëhen problematike në komunitet.
Edi Rama: Ky shqetësim, dhe shumë si ky, që qytetarët mund të adresojnë nëpërmjet deputetëve, do të merren në konsideratë nga qeveria dhe të shohim se ç’mund të bëjmë aty ku mund të zgjidhim.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: