Kryetarja e degës 9 të Partisë Demokratike, Eda Grimçi, ka reaguar me një status të gjatë në rrjetet sociale, ku i është përgjigjur zërave kritikë brenda PD-së që kërkojnë largimin e kryetarit Sali Berisha.

Grimçi i cilëson këto zëra si “të çjerrë” dhe “pëshpëritje nën zë”, duke theksuar se Berisha nuk i ka zënë rrugën askujt, por përkundrazi ka mbajtur mbi shpatulla dështimet dhe heshtjen e shumë prej atyre që sot kërkojnë ndryshim.

“Shfaqen si magjistarë, shpëtimtarë, liderë të rinj… por në të vërtetë janë të njëjtët që dje heshtën, që u fshehën, që bënë pazare dhe shitën kauzën,” shkruan Grimçi, duke shtuar se e njëjta frazë që përdor qeveria, “fajin e ka Saliu”, sot përdoret edhe nga ata që duan të duken revolucionarë brenda PD-së.

Në reagimin e saj, ajo u bën thirrje kritikëve që të maten me votë përpara demokratëve dhe jo të fshihen pas akuzave e alibive. “E vërteta është kjo: Doktori nuk ua ka zënë rrugën, por ju ka mbajtur në kurriz. Ju ia keni zënë rrugën vetes me dështimet, me pazaret, me heshtjen tuaj,” thekson Grimçi.

Ajo apelon që demokratët të bashkohen në analiza dhe reflektim, duke nisur nga vetja, për t’i dhënë një përgjigje të qartë jo vetëm demokratëve, por edhe shqiptarëve që i kanë votuar.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb