Në emisionin Log. në News 24, ish-ministri i Jashtëm, Arian Starova, diskutoi për debatin e ashpër mes presidentit amerikan Donald Trump dhe presidentit ukrainas Volodymir Zelensky, i cili u zhvillua në Zyrën Ovale.
Starova theksoi se rreziqet e sigurisë nuk lidhen vetëm me Rusinë, por përfshijnë një gamë të gjerë faktorësh. Ai u shpreh se debati tregon se Trump është realist dhe i hapur, duke theksuar se ai është i vetmi që ka pranuar realitetin se Ukraina nuk ka arritur të kthejë territoret e humbura pas tre vitesh luftë.
Starova kritikon gjithashtu politikën e Evropës, duke thënë se ajo ka treguar dobësi, pasi ka kontribuar me para dhe mbështetje materiale, por nuk ka ofruar ndihmë për të ndaluar luftën. Sipas tij, Trump nuk është i prirur të mbështesë Rusinë, por është realist dhe thotë që lufta duhet të mbarojë, pasi Ukraina nuk është në pozicionin për të imponuar kushte.
Arian Starova, ish-ministër i Jashtëm: Kur flasim për rreziqet e sigurisë, rreziqet e sigurisë nuk lidhen vetëm me Rusinë. Rreziqet e sigurisë janë gamë e gjerë. Sot kufijtë përshkruhen lehtë, prsh kullat Binjake u goditën nga shumë larg. Duhet armatimi, sepse ka konflikte të ndryshme. Në debatin në Shtëpinë e Bardhë, Trump u tregua realist. Ka tre vjet, që Zelensky ka marrë para, armatime për të bërë luftë dhe ka tentuar që të kthejë territoret dhe nuk ka arritur gjë.
Europa ka treguar dobësi, thjesht ka dhënë para dhe ka lënë ukrainasit të luftojnë përballë Rusisë. Trump nuk është i prirur nga Rusia, është realist. Njerëzit habiten pse u bë gjithë ai debat në Shtëpinë e Bardhë. Debati tregon se Trump është i hapur në sytë e të gjithë botën, është transparent. Donald Trump i tha Zelenskyt që ti nuk je në pozicionin për të imponuar, sepse ti nuk fiton dot. Derisa nuk fiton, lufta duhet mbaruar.
(Balkanweb)
