Avenir Peka, ekspert për çështjet e sigurisë, tha në emisionin “Open” në News24, se vajtja e Fredi Belerit në Parlamentin Europian, nuk ka asnjë ndikim.

Peka tha se një problem ka për Shqipërinë, për Edi Ramën dhe drejtësinë në Shqipëri: vajtja atje me dosjen 184 në Parlamentin Europian.

“Fredi Belerin nuk e lanë ta bëjnë betimin si Kryebashkiak i Himarës, por në rastin e europarlamentarit do të jetë e vështirë që ta pengojnë.

Fredi Beleri akuzohet për blerje votash. Po çfarë ka ndodhur në Shqipëri me zgjedhjet? Janë 20 mijë socialistë që kanë blerë vota, por Fredi Beleri ndodhet në burg. Tani Beleri shkon në Parlamentin Europian me dosjen 184 dhe thotë ja ku i keni ministrat, deputetët, zyrtarët që kanë blerë vota dhe drejtësia në Shqipëri nuk vepron ndaj tyre, por merret me mua”, tha Peka.

Por Endri Shabani nga nisma Thurje tha se nuk besonte se mund të ndodhte një gjë e tillë pasi deri më sot Greqia ka pasur deputetë në PE, edhe dosja atje ka qenë, dhe ne nuk e kemi parë një reagim të tillë.

“Edi Rama dhe Shqipëria nuk është e njëjta gjë. Beleri mund të çojë çdo dosje në PE, mund edhe të hakmerret për çka i ka bërë Edi Rama, sipas tij, por nuk duhet të ngatërrojmë Shqipërinë me Edi Ramën”, tha Shabani.

Ai tha se se Beleri nuk është i vetmi që ka vjedhur zgjedhjet, por çdokush që vjedh zgjedhje në Shqipëri, e bën me lejen e Ramës. “Jemi në një shtet patronazhistësh, Belerin e kanë kapur duke blerë vota, sepse ai nuk po i blinte për Edi Ramën por për veten e tij”, tha Shabani.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: