Çështja e përdorimit dhe institucionalizimit të gjuhës shqipe në Maqedonia e Veriut është rikthyer në qendër të debatit politik dhe publik, ndërsa problematikat e vjetra vijojnë të mbeten të pazgjidhura.
I ftuar në News24, politologu Naim Iliazi u shpreh se gjuha shqipe në vend ka qenë historikisht një çështje komplekse dhe shpesh e shoqëruar me kundërshti kur bëhet fjalë për institucionalizimin e saj.
Sipas tij, shqiptarët nuk mund të ndryshojnë qëndrimet negative që ekzistojnë ndaj gjuhës shqipe, por theksoi se është e nevojshme që ajo të bëhet më e pranishme dhe e dëgjueshme në institucionet shtetërore.
Debati është rindezur së fundmi nga studentët shqiptarë në Fakultetin e Drejtësisë, të cilët për herë të dytë kanë ngritur shqetësimin për mungesën e mundësisë për t’u pajisur me licencë juristi në gjuhën shqipe. Iliazi theksoi se aktualisht Ministria e Drejtësisë nuk e lejon një gjë të tillë, duke krijuar një pengesë të drejtpërdrejtë për profesionistët e rinj shqiptarë.
Ai solli në vëmendje se probleme të ngjashme kanë ekzistuar edhe në sektorin e arsimit, por janë zgjidhur përmes reformave konkrete. Sipas tij, modele dhe metoda për zgjidhje ekzistojnë, por mungon vullneti politik për t’i zbatuar ato.
“Forma dhe mënyra ka, por nuk ka politikanë seriozë që ta marrin situatën përpara dhe të garantojnë zbatueshmërinë reale të gjuhës shqipe në institucione”, u shpreh Iliazi.
Çështja e gjuhës shqipe mbetet një nga temat më të ndjeshme në raportet ndëretnike në Maqedoninë e Veriut, duke rikthyer vazhdimisht diskutimin mbi barazinë dhe të drejtat institucionale të shqiptarëve në vend.
