Cirkuiti i ri “Madring” në Madrid, event që do të debutojë këtë fundjavë në Formula 1, mund të sjellë një numër të lartë ndërprerjesh gjatë garës. Në testet e Formula 3, të zhvilluara në gusht, u regjistruan plot 19 flamuj të kuq, edhe pse shumica e ndërprerjeve zgjatën pak.

Një nga shqetësimet kryesore është pjesa “Monumental”, rreth 500 metra e gjatë, e verbër dhe me pjerrësi, ku mungojnë rrugët e shërbimit dhe zonat e mëdha të shpëtimit. Për këtë arsye, në rast incidentesh mund të jetë e nevojshme përdorimi i makinës virtuale të sigurisë, i makinës së sigurisë ose i flamurit të kuq. Drejtoresha e qendrës mjekësore, Isabel Omaque, ka bërë të ditur se në pistë do të jenë rreth 80 persona të stafit mjekësor, ndërsa 25 profesionistë do të vijnë nga Barcelona. Ata janë të trajnuar për ndërhyrje të shpejta, veçanërisht në rastet kur piloti duhet të nxirret nga makina.

“Madring” nuk do të ketë helikopter mjekësor të vendosur në pistë, pasi spitalet kryesore, “La Paz” dhe “Ramon y Cajal”, ndodhen rreth 15 minuta larg. Në rast nevoje, evakuimi do të bëhet me ambulancë, të shoqëruar nga policia. Pas 19 flamujve të kuq në testet e F3, mbetet për t’u parë nëse “Madring” do të vendosë një rekord të ri edhe në Formula 1.

Sesioni i kualifikimit me më shumë flamuj të kuq në historinë e Formula 1 deri më tani ka qenë ai i Çmimit të Madh të Azerbajxhanit në vitin 2025, ku pati plot gjashtë ndërprerje për shkak të aksidenteve.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb