Një defekt i rëndë në linjën kryesore të furnizimit me ujë të pijshëm ka shkaktuar ndërprerje të furnizimit për 9.000 banorë të qytetit të Rrëshenit dhe disa fshatra përreth në Bashkinë e Mirditës. Dëmtimi ka ndodhur në orët e para të së premtes duke sjellë ndërprerjen e menjëhershme të ujit.
Punonjësit e Shërbimit të Ujësjellës-Kanalizimeve kanë kryer verifikimet në terren dhe kanë konstatuar se bëhet fjalë për një dëmtim serioz në një gjatësi prej 85 m të kësaj linje furnizimi që kërkon ndërhyrje të specializuar dhe mjete të posaçme teknike. Për shkak të terrenit të vështirë dhe kushteve atmosferike në përkeqësim, ndërhyrja rezulton e vështirë dhe me rrezik dhe shoqëria Rajonale Ujësjellës-Kanalizime Lezhë nuk i ka kapacitetet e plota teknike për riparimin e menjëhershëm të këtij defekti, ndërsa po punohet për sigurimin e ndihmës së nevojshme për zgjidhjen përfundimtare të situatës.
Gjatë ditës së sotme, përmes zgjidhjeve teknike alternative, është bërë furnizimi i pjesshëm me ujë të pijshëm për qytetin e Rrëshenit, ndërkohë, disa fshatra vijojnë të mbeten pa ujë të pijshëm. Emergjencat Civile në Prefekturën e Lezhës bëjnë të ditur se punohet për rikthimin normal të furnizimit edhe në këto zona dhe situata po mbahet në monitorim.
