TIRANE- Zyrat e Gjendjes Civile në mbarë vendin janë gjendur këtë të hënë në një situatë të pazakontë. Një defekt në sistemin e zyrës qendrore ka bllokuar të gjitha procedurat e nevojshme për qytetarët, të cilët kanë pritur me orë të tëra përpara sporteleve duke krijuar radhë të gjata. Por ajo çka i shqetëson më shumë është fakti se mosmarrja në kohë e certifikatave i penalizon ata të kryejnë procedurat në shërbimet e tjera të nevojshme.
Defekti i shkaktuar në sistemin qendror të Gjendjes Civile ka ardhur si pasojë e punës që po kryhej për mirëmbajtjen. Për të shmangur këto situata dhe radhët pranë sporteleve të gjendjes civile Ministria e Brendshme apelon qytetarët që të aplikojnë për çdo shërbim në portalin E-Albania.
“Po punohet për riparimin e sistemit. Problemi u konstatua teksa po punohej për mirëmbajtjen e sistemit. Një problem që doli sot, shtyu procesin. Qytetarët të aplikojnë te portali e-Albania”, thuhet nga Ministria e Brendshme.
(el.sp/BalkanWeb)
