Nesër Partizani sfidon Egnatian për gjysmëfinalen, ndërsa në fundjavë vendoset pjesëmarrja në “Final 4” në një duel direkt me Elbasanin. Sezoni mund të konsiderohet në rrezik, duke qenë se asnjë objektiv nuk është i arritur. Lajmi i mirë është se gjithçka mbetet në dorën e të kuqve dhe se dy ndeshjet e fundit, më vendimtaret, luhen në shtëpi.

Partizani nuk u bind nga ajo që Orges Shehi bëri në verë në ndeshjet e Europës dhe vendosi të ndahet me durrsakun. Pas kësaj, nisi sezonin me Abilaliajn në dy ndeshje në stol, për t’i liruar vendin Aleksandar Veselinoviçit, trajner serb, që drejtoi skuadrën në pjesën më të madhe të sezonit. Më pas Abilaliaj e mori sërish skuadrën më synimin për të mbyllur sezonin, por kjo nuk rezultoi aspak lëvizje e goditur, sepse u regjistruan rezultate negative në kampionat dhe Elbasani u afrua. Sot skuadrën e drejton Gega, që korrespondon në javën më vendimtare, atë që vulos gjithë sezonin.

POZITA E VËSHTIRË – Partizani rrezikon të mos marrë pjesë në “Final 4”, teksa gjysmëfinalja e dytë kundër Egnatias do të jetë vendimtare për mbërritjen në finalen e Kupës. Por si mbërriti Partizani këtu dhe si skuadra e kuqe përfundoi në idenë “kap çfarë të kapësh” në një sezon, të cilin e nisi si favorite absolute për titullin?

NISJE E VRULLSHME – Partizani me Abilaliajn (2 ndeshje) dhe Veselinoviç bëri një fazë të parë mjaft pozitive, duke grumbulluar 16 pikë dhe duke zënë shpejt vendin e parë. Ritmi vijoi i ngjashëm edhe në fazën e dytë, ku skuadra arriti të marrë 14 pikë, por në këtë rast kundërshtarët bënë mirë dhe Partizani zbriti i treti, me diferenca të vogla pikësh. 30 pikë në 18 ndeshjet e para nuk ishte rezultat brilant, por i mjaftueshëm për të qëndruar mes pretendentëve të Superiores dhe pa mbajtur presion për katërshen.

GABIMET E MERKATOS – Por mes gjysmës së parë të sezonit dhe kësaj së dytës që po mbyllet, pika kyçe ishte merkatoja e janarit. Te Partizani ishin paralajmëruar prej më shumë se 1 viti largimet e Carës, Hadrojt dhe Rrapajt, që edhe publikisht në çdo intervistë pranonin këtë fakt. Por kjo nuk e ndihmoi klubin që përpara se t’i shiste, të kishte gjetur lojtarë që mund të mbulonin boshllëkun e largimeve të tyre. Në fund, ikja e kësaj tresheje dhe e Mbasë, i ra Partizanit si një “bombë”. Atë që nuk e kishin bërë prej një viti, drejtuesit u përpoqën ta bënin në pak javë, duke sjellë lojtarë që do të zëvendësonin këtë treshe. Në fund nuk ia dolën.

FUND ME VRAP BRESHKE – Mbërrijmë në vitin 2025, që nisi dhe po vijon me një Partizan nën mesatar. Në fazën e tretë, të kuqtë grumbulluan vetëm 10 pikë në 9 ndeshje, teksa nga dy humbje që kishin pësuar në dy fazat e para, vetëm këtë fazë regjistruan tri humbje. Dy u pësuan me Veselinoviç në krye dhe një me Abilaliajn. Faza e katërt nuk është mbyllur ende, por në 8 ndeshje të luajtura janë koleksionuar po 10 pikë. Katër skuadra i mori me Abilaliajn në katër javë, ndërsa gjashtë të tjera me Gegën në po kaq javë. Shifrat tregojnë qartë se pjesa e dytë e sezonit sheh një Partizan në rënie cilësore, që u përkthye edhe në pikë dhe rezultate.

NDRYSHIMET E PRITSHME – Humbja e fundit kundër Bylisit nxori edhe një herë problemet në pah. Cilësia, mentaliteti dhe organika në tërësi ka nevojë për një sistemim të rrënjësishëm, duke bërë largimet dhe afrimet e duhura në merkaton e ardhshme. Pas fundit të afërt të sezonit, Partizanin e presin ndryshime shumë të rëndësishme, që u nënkuptuan edhe nga vetë trajneri Gega pas ndeshjes. “Tashmë çdokush duhet të reflektojë dhe të marrë përgjegjësinë që ka, patjetër edhe unë timen. Kur unë kam ardhur, shumë gjëra kanë dalë në pah, sepse i kam ballafaquar (lojtarët) me arsyet pse nuk luajnë pas pretendimeve për të luajtur. Do të vijë momenti të sistemohet çdo gjë. Edhe analiza do të bëhet deri në fund, në kohën kur ishin pa mua dhe tani me mua”, u shpreh Gega, që, për hir të së vërtetës, ka marrë një skuadër në kolaps dhe deri më tani ka arritur të bëjë relativisht mirë, duke mposhtur Egnatian dy herë dhe Laçin. Nga ana tjetër, nuk dolën më sukses në derbi dhe tani kundër Bylisit. Pas fundit të sezonit, pritet të shohim Partizanin, sipas Gegës dhe Haxhias, që kanë marrë tashmë timonin e klubit.FDSSDGDF

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb