I pranishëm në një ceremoni në Durrës, presidenti Ilir Meta komentoi edhe situatën politike në qytetin bregdetar, ku më 6 mars pritet të mbahen zgjedhjet e pjesshme lokale për kryetar bashkie.

I pyetur lidhur me deklaratën e një bërë një ditë më parë nga dega lokale e LSI-së lidhur me kalimin e shumave të parave që lidhen me procesin e rindërtimit gjë që rrezikon përsëritjen e fenomenit të blerjes së votës siç ndodhi më 25 prill, presidenti Meta zgjodhi të përgjigjej në mënyrë diplomatike duke theksuar se këto zgjedhje duhet të shërbejnë për të rikthyer “integritetin e votës së lirë të cënuar rëndë”.

“I ftoj qytetarët të marrin pjesë në zgjedhje dhe të tregojnë respekt për veten e tyre, për familjet e tyre duke e çmuar votën si të shenjtë, si fuqinë më të madhe në demokraci, si një mundësi që kurrë nuk duhet humbur, përkundrazi si e vetmja rrugë qe të jep të drejtë morale si qytetar nesër të kërkosh llogari për atë që ke zgjedhur. Përsa i përket institucioneve të tjera, shpresojmë që të gjitha të përmbushin detyrimet e tyre dhe këto zgjedhje të jeni një mundësi për të rivendosur integritetin e cënuar rëndë të votës së lirë në vend”.

Pyetje: Besoni se këto zgjedhje do ta ruajnë integritetin e votës?

Meta: Unë uroj dhe i nxis të gjithë në këtë drejtim dhe kjo fillon që nga pasqyrimi korrekt i mediave jashtë çdo presioni dhe censure i fushatës që do të zhvillohet, i kandidatëve që do të paraqiten dhe vazhdon me të gjitha aspektet e tjera sepse ky është një proces që ka vetëm një element.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: