TIRANË- Demokrati Tritan Shehu ka reaguar në lidhje me deklaratat e kryeministrit Edi Rama se nëse Donald Trump zgjidhet president, marrëdhëniet e Shqipërisë me SHBA-të do jenë në rrezik.
Në një status në profilin e tij në facebook, Shehu e quan absurd prononcimin e Ramës dhe një gafë të rëndë dëshirën e tij për t’u përfshirë në garën amerikane.
Më tej Shehu thotë se marrëdhëniet mes dy vendeve do të jenë gjithmonë konstante dhe në rritje pavarësisht se kush zgjidhet në Shtëpinë e Bardhë.
DEKLARATA E SHEHUT
Prononcimi absurd i z.Rama, në cilësinë e kryeministrit, ndaj një prej kandidatëve kryesorë për president të SHBA, me të drejtë ka ngjallur shumë reagime në këto ditë.
Unë e përcolla me habi e shqetësim të madh atë, për vete inkoherencën e papërshtatshmërinë që përmbante.
Është prononcimi i parë i këtij lloji prej një niveli të tillë, ndërmjet të gjitha vendeve demokratike e partnere me SHBA.
Do të ishte infantile të justifikohej kjo deklaratë me “tejpamësinë” e vetëm Z.Rama për të parashikuar rezultatin e zgjedhjeve presidenciale aty, apo me “preferenca a principe” personale.
Është një “gafë” e rëndë dëshira e kryeministrit të Shqipërisë për t’u “përfshirë” në atë garë, veçanërisht me ato terma.
Termat e përdorura bien ndesh katërcipërisht me realitetin amerikan.
Shqetësuese është ajo çka deklarohet për marrëdhëniet midis dy vendeve.
Diçka thelbësore mos harrojmë: marrëdhëniet tona, si Shqipëri e shqiptarë me SHBA janë të thella, të ngushta, të gjata në kohë e do të jenë veçse në forcim në të ardhmen.
Ato janë dhe do të jenë konstante, pavarësisht se kush do të zgjidhet në Shtëpinë e Bardhë, sepse e tillë është dhe demokracia amerikane.
Ato në këto vite të demokracisë sonë kanë qenë të forta, pavarësisht se kush ka fituar zgjedhjet në Shqipëri.
Marrëdhëniet tona kanë qëndruar e do të qëndrojnë të pacenueshme, edhe nga ndonjë “gafë” e krijuar në Tiranë, siç ishte ajo me armët kimike, kjo e fundit, a tjetër.
Për këto duhet të jemi të sigurt, të qartë e racional, pa pasur nevoje të marrim mbi vete role “paternaliste” e iluzive, larg dimensioneve e interesave tona, larg realitetit.
(m.k/BalkanWeb)
