Në një kohë kur ambasadat e huaja në vendin tonë kërkojnë hetim të shpejtë dhe pa pengesa të rasteve të korrupsionit, duke iu referuar rastit ‘Balluku’, vjen reagimi nga kryeministri Edi Rama, i cili i ofroi mbrojtje politike Belinda Ballukut. Në një reagim në X, kreu i qeverisë shqiptare falënderoi ambasadat për reagimin, ndërsa nuk la pa ironizuar protestën e opozitës, duke e cilësuar si ‘shoqata e molotovëve’.
Ambasada e Gjermanisë theksoi sot se ndjekja e korrupsionit në nivelet e larta duhet të zbatohet shpejt dhe pa pengesa, duke kujtuar se këto janë kushte për procesin e anëtarësimit në BE.
“Kusht i domosdoshëm për të bërë progres në këtë proces të bazuar në merita është ndjekja penale me efektivitet e korrupsionit edhe në raste të rangut të lartë. Pritshmëria jonë e qartë është që edhe në këto raste ndjekja penale përmes drejtësisë të mund të realizohet shpejt dhe pa pengesa. Prej politikës shqiptare vazhdon të kërkohet ende që ta garantojë këtë proces”, thuhet në deklaratë. Ndërkohë, Rama në reagimin e tij shton se Balluku nuk akuzohet për korrupsion. Kujtojmë se sot me forcën e kartonit të PS-së, e cila ka shumicën në Kuvend, u rrëzua kërkesa e SPAK për lëshimin e autorizimit për arrestimin e Belinda Ballukut. Ndërkohë jashtë sallës së Kuvendit opozita protestoi.
DEKLARATA E RAMES
Përshëndes deklaratat e ambasadave të Mbretërisë së Bashkuar dhe Gjermanisë, me parimet e shprehura në të cilat jemi të gjithë shumë dakord, 100%.
Por duke qenë se që të dyja dolën sot, kur Kuvendi me plot të drejtë refuzoi heqjen e lirisë së një deputeteje në mungesë të plotë të kushteve për ta ndërmarrë një hap të tillë ekstrem dhe, njëkohësisht, duke qenë se Shoqata e Molotovarëve të Tiranës ka filluar të flasë edhe në emër të Gjermanisë, përfitoj nga rasti të theksoj:
• Kjo shumicë qeverisëse e ka mendjen të ndarë dhe busullën të palëvizshme: Shqipëria 2030 në Bashkimin Europian🇦🇱🦅🇪🇺
• Reforma në Drejtësi nuk kthehet mbrapa, pavarësia e gjyqësorit nuk preket dhe mbështetja për SPAK-un mbetet e palëkundur.
• Lufta reale kundër korrupsionit vazhdon, më këmbëngulëse se kurrë, siç e tregon qartë edhe pasqyra objektive e përditësuar Komisionit Europian.
• Belinda Balluku nuk akuzohet për korrupsion dhe hetimi i çështjes duhet të vazhdojë, i patrazuar as nga pengimi as nga yshtja e SPAK-ut, prej faktorësh jashtë kufijve të pushtetit të pavarur gjyqësor.
• Shumica qeverisëse, bëri sot pa asnjë diskutim atë që do të bënte çdo parlament demokratik i Europës, ku kalimi i kërkesave të prokurorisë jo për arrestin pa gjyq të një deputeti, po për të filluar apo jo hetimet, nuk është askund si kalimi pa asnjë lloj kontrolli i kufijve në zonën Shengen. Ai është një proces serioz, i bazuar në norma kushtetuese e ligjore, të cilat nuk janë as karta bianka, as dyer të mbyllura për prokurorinë.
Sot ne i kemi respektuar plotësisht ato norma dhe kush pretendon të kundërtën, ka të drejtën e vet të padiskutueshme, po s’ka argumenta të mjaftueshëm për ta fituar debatin mbi ekzistencën ose jo të kufirit mes pushteteve të pavarur kushtetues, të cilin parlamenti i Shqipërisë e mbylli sot duke treguar se dinjiteti i parlamentarëve nuk është material për eksperimente socio-politike, të cilat e bëjnë kurën më të rrezikshme se sa sëmundja që duhet të luftojë!
Ecim përpara, Shqipëria nuk ka plan B🇦🇱❤️🇪🇺
Përshëndes deklaratat e ambasadave të Mbretërisë së Bashkuar dhe Gjermanisë, me parimet e shprehura në të cilat jemi të gjithë shumë dakord, 100%.
Por duke qenë se që të dyja dolën sot, kur Kuvendi me plot të drejtë refuzoi heqjen e lirisë së një deputeteje në mungesë të plotë…
— Edi Rama (@ediramaal) March 12, 2026
