TIRANË

Anëtari i kryesisë së PD, Fatbardh Kadilli ka reaguar përmes një postimi në facebook lidhur me deklaratat e bëra sot nga ambasadorja amerikane Yuri Kim, pas takimit me kryedemokratin Lulzim Basha.

“Është e turpshme që kryetari i Partisë Demkratike vihet me shpatulla pas muri nga Ambasadorja e USA për një çështje që zvarritet prej kohe, për një çështje që bën sikur nuk është.” shkruan Kadilli në reagimin e tij ndërsa apelon demokratët të shohin nga e ardhmja.

“Është e pafalshme që vendimet e nesërme të jenë në kundërshtim me standardin dhe kërkesat e SHBA, vendit që ka një peshë të madhe në krijimin dhe mbështetjen e Partisë Demokratike. Është e papranueshme që Kryetari, pas këtij takimi, të kryejë veprime dhe të marrë vendime të detyruara vetëm e vetëm për të ruajtur karrierën apo karriken, por aspak pse ai beson me sinqeritet tek aleanca strategjike me SHBA.

Mbërritja në këtë situatë nuk e rrit besimin tek lidershipi i tij por e zvogëlon atë edhe më shumë në raport me shqipërinë, SHBA dhe demokracinë. Në Kuvendin Kombëtar u bëra thirrje demokratëve “për tu ndarë nga çdo trashëgimi që na kompromenton, që na mban peng. Sado emocione të na lidhin me atë”. Demokratë të shohim nga e ardhmja.”- shkruan Kadilli.

Ambasadorja e SHBA në Tiranë, Yuri Kim i kërkoi sot Lulzim Bashës në zyren e tij, që ish-kryeministri Sali Berisha, i shpallur non grata nga Departamenti Amerikan i Shtetit, të mos jetë në parlamentin e ri në shtator.

“Do të ishte një ironi historike por edhe një tragjedi për vendin, jo vetëm për partinë, nëse partia do të hante bar për hir të interesave personale të një njeriu. Shpresa jonë është që partitë do të ecin përpara, që ky vend do të ecë përpara, që bashkëpunimi midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë të ecë përpara. E ardhmja po pret. Ka vendime të vështira përpara për të gjithë.”- u shpreh ambasadorja amerikane.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb