TIRANE- Ambasada e Rusisë në vendin tonë ka reaguar ndaj deklaratës së djeshme të Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë të publikuar në përfundim të takimit të ambasadorit rus në Tiranë, Alexander Karpushin, me Drejtorin e Drejtorisë së Përgjithshme të Marrëdhënieve Dypalëshe të MPJ-së së Shqipërisë, Sokol Gjoka, të zhvilluar më 27 prill 2015.

Ndërsa shpreh habi ndaj deklaratave të MPJ shqiptare, Ambasada Rusë thotë se “Në këtë deklaratë u shtrembërua njoftimi i Departamentit të Informacionit dhe Shtypit të MPJ-së së Rusisë të dt. 22 prill 2015 në lidhje me incidentin që ndodhi në Maqedoni. Ky njoftim nuk përmban asnjë akuzë ndaj shtetit shqiptar, ndryshe nga siç është pretenduar në deklaratën e lartpërmendur të MPJ-së së Shqipërisë.

Sipas ambasadës së Rusisë në vendin tonë, “njoftimi i MPJ-së ruse i datës 15 prill 2015 mbi deklaratën e kryeministrit shqiptar për bashkimin e mundshëm të Shqipërisë dhe Kosovës, në lidhje me të cilin u iniciua takimi i ambasadorit rus me Gjokën, është në një linjë me deklaratën zyrtare të BE-së për këtë çështje”.

Më tej thuhet se: “E konsiderojmë të papranueshëm shtrembërimin e thelbit dhe të karakterit të bisedës së Ambasadorit rus me përfaqësuesin e MPJ-së së Shqipërisë. Toni i deklaratës zyrtare të Ministrisë nuk pasqyron aspak frymën e takimit, i cili u zhvillua në një atmosferë miqësore. Në deklaratë nuk përmendet dialogu konstruktiv mes palëve mbi çështjet dhe perspektivat e marrëdhënieve ruso-shqiptare, të cilave iu kushtua pjesa më e madhe e bisedës. Është e rëndësishme të vihet re se qëndrimet e Rusisë dhe Shqipërisë ndaj çështjes së Kosovës nuk u trajtuan fare nga bashkëbiseduesit.

Do t’u rekomandonim autorëve të deklaratës të njihen me kuptimin e fjalës “shantazh” dhe të shmangin në të ardhmen përdorimin e saj të papërgjegjshëm dhe jokorrekt në deklarata zyrtare të dikasterit të politikës së jashtme”, thuhet në reagimin e Ambasadës Ruse në vendin tonë.

Madje, ambasada ruse shkon edhe më tej, duke shtuar se “Teksti i publikuar në faqen zyrtare të MPJ-së së Shqipërisë ka shumë pak të bëjë me bisedën e zhvilluar në të vërtetë mes dy diplomatëve. Dhe ky fakt të krijon përshtypjen se deklarata ishte shkruar para takimit të z.Karpushin me z.Gjoka”.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb