Presidenti i Turqisë Rexhep Tajip Erdogan iu përgjigj Benjamin Netanyahut dhe deklaratave të tij mbi Jerusalemin të mërkurën pasdite. Presidenti turk u zotua se myslimanët nuk do të heqin dorë kurrë nga të drejtat e tyre për Jerusalemin Lindor dhe premtoi se vendi i tij do të vazhdojë të mbështesë palestinezët mes sulmeve izraelite.

“Ne nuk do të lejojmë që Jerusalemi të përdhoset nga duar të pafe, megjithëse e di që hidhërimi i admiruesve të Hitlerit mund të mos zbehet kurrë”, tha Erdogan në ceremoninë e hapjes së ndërtesës së re të Ministrisë së Jashtme të Turqisë në Ankara.

Ai vuri në dukje krenarinë e përkatësisë ndaj “një kombi që ngriti flamurin e Islamit për shekuj me radhë dhe i shërbeu Jerusalemit për 400 vjet ”. Ai iu referua faktit se nën sundimin mysliman “qyteti u bë një vend paqeje dhe bashkëjetese”, ndërsa kishte respekt për të drejtat e të krishterëve dhe hebrenjve.

“Si një komb që mbajti flamurin e Islamit për shekuj me radhë, patëm nderin t’i shërbejmë Jerusalemit për 400 vjet. Netanyahu mund të mos e dijë këtë, por ndoshta do ta dijë: me respekt, mençuri dhe tolerancë, ne e bëmë këtë qytet të bekuar një tokë paqeje për shekuj me radhë”, tha ai

“Lufta e Turqisë që Jerusalemi të bëhet një qytet paqeje, sigurie dhe harmonie vazhdon pa ndërprerje apo tërheqje”, tha Erdogan. Ai riafirmoi angazhimin e Ankarasë për një shtet palestinez të pavarur dhe sovran bazuar në kufijtë e vitit 1967, me Jerusalemin Lindor si kryeqytet.

Duke kritikuar Benjamin Netanyahun , Erdogan e quajti Jerusalemin një qendër shpirtërore që është e çmuar për të gjithë myslimanët.

“Askush nuk mund të na ndalojë të mbështesim popullin e shtypur të Gazës që po lufton për të mbijetuar nën sulmet e ashpra të Izraelit “, tha ai.

Erdogan premtoi se Turqia do të “mbetet e palëkundur sot dhe nesër kundër atyre që përpiqen ta shndërrojnë rajonin tonë në një det gjaku dhe atyre që shkaktojnë paqëndrueshmëri në gjeografinë tonë”.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb