Avokati Genc Gjokutaj, i ftuar në emisionin “Kjo Javë” në News24, komentoi dekretimin e datës për zgjedhjet e pjesshme në 6 bashki, përfshirë edhe Bashkinë e Tiranës, pavarësisht ankimimit të bërë nga Erion Veliaj në Gjykatën Kushtetuese për shkarkimin e tij.

Gjatë intervistës, Gjokutaj theksoi se ligji është i qartë dhe nuk lejon marrëveshje kur dispozitat janë të përcaktuara në mënyrë të prerë.

“Ligji thotë që kundër vendimit të marrë nga qeveria, pasi propozimi vjen nga këshilli bashkiak dhe pastaj kalon në filtrin qeveritar që mund të pranohet ose refuzohet. Kjo është një situatë e veçantë, pasi në rastet e mëparshme qeveria ka vepruar me iniciativa të tjera, por ky rast është i parë ku kryetari i bashkisë është shkarkuar për arsye të mungesës së punës për tre muaj rresht,” shpjegoi avokati.

“Nga ana formale, votimi ishte pro shkarkimit, por qëllimet pas tij ishin të ndryshme. Ne donim largimin e kryetarit, ndërsa disa të tjerë synonin të zëvendësonin Veliajn me Ogerta Manastirliun,” theksoi avokati.

Në lidhje me ankimin e Veliajt në Gjykatën Kushtetuese, Gjokutaj shpjegoi se pezullohet automatikisht çështja, por dekretimi i datës së zgjedhjeve nga Presidenti, pavarësisht këtij ankimi, është një veprim i diskutueshëm dhe, sipas tij, mund të jetë shkak për dorëheqjen e Presidentit.

“Nuk është problem që Presidenti del kundër vendimit të Gjykatës Kushtetuese, por që shkel dispozitat kushtetuese që bllokojnë procesin zgjedhor,” tha ai, duke shtuar me ironi se Presidenti nuk duket se ka kuptuar plotësisht ndarjen e pushteteve, edhe pse është i shoqëruar nga një staf juridik.

“Me bërjen e ankimit nga Veliaj në Gjykatën Kushtetuese pezullohet çështja automatikisht. Tani i thotë Presidentit firmos datën e zgjedhjeve Rama se më duhet mua kjo punë. Ngrihet presidenti dhe dekreton datën e zgjedhjeve, për mua është shkak për dorëheqjen e tij. Nuk është problemi se ka dalë kundër vendimit të Gjykatës Kushtetuese, por kundër dispozitës së Kushtetutës që bllokon procesin. Ngrihet dhe thotë, ai nuk e ka idenë se çfarë është ndarja e pushteteve. Nuk di shumë gjëra ai, por besoj se ka një staf juridik. Ka qenë mjek ushtrie, detyrë të parë ka të provojë gjellën e ushtarëve, pastaj fillon stetoskopi”, tha ai.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb