TIRANE-Ambasadori i SHBA-së në Tiranë, Donald Lu shprehu mbështetjen e SHBA-së për procesin e dekriminalizimit në Shqipëri, ndërsa shtoi se është detyrë e institucioneve shqiptare largimi i kriminelëve nga politika.

Në një intervistë për revistën JAVA, ambasadori Lu foli rreth gjendjes që po kalon vendi dhe iu përgjigj pyetjes nëse qëndrimet e hapura të muajve të fundit, përbëjnë ndryshim të kursit të politikës amerikane. Ai është shprehur se nuk ka ndodhur asnjë ndryshim i tillë, por se kjo është thjeshtë një mbështetje që po i jepet procesit të dekriminalizimit të politikës shqiptare.

“Njerëzit kanë të drejtë ta dinë historinë e rekordeve kriminale të përfaqësuesve të tyre politikë”, tha ai.

I pyetur rreth fakteve që është thënë se do të dalin nga selitë diplomatike në Tiranë për kandidatët e 21 qershorit, Lu u shpreh se: “do të shtoja edhe që, detyra e vështirë e të larguarit të kriminelëve prej politikës është përgjegjësi e institucioneve demokratike të Shqipërisë, por ata mund të mbështeten për ndihmë te Shtetet e Bashkuara”.

“Është Partia Socialiste ajo që e përjashtoi Tom Doshin. Është Prokurori juaj i Përgjithshëm ai që ngriti akuza penale kundër Tom Doshit dhe Mark Frrokut. Janë drejtuesit e partive politike shqiptare ata që kanë hequr disa politikanë me histori kriminale prej listave të kandidatëve. Sigurisht, ishin po këta kryetarë partish që i vendosën ato emra në lista në fillim. Ka nevojë të bëhet më shumë, por institucionet shqiptare kanë bërë përparim të rëndësishëm”, tha ai.

I pyetur për rrëzimin e Byrosë së Hetimit nga gjykata kushtetuese, Donald Lu tha se, SHBA përkrah një Byro Kombëtare Hetimi të krijuara tërësisht mbi baza kushtetuese. Ai shtoi se SHBA beson se lufta ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar kërkojnë një institucion serioz, me aftësi hetimore të avancuara. “FBI është e gatshme të ndihmojë në krijimin e Byroje që është profesional dhe i papolitizuar”, shtoi ai.

Sa i përket nismës së deputetit Kokëdhima për liberalizimin e kultivimit të bimëve narkotike, në shembullin e disa shteteve të SHBA-së që kanë bërë një gjë të ngjashme, Lu tha se z. Kokëdhima është i pasaktë, sa i përket ligjeve të kultivimit të kanabisit në SHBA.

“Në dy shtete të SHBA, përdorimi i kufizuar i marihuanës tani është i ligjshëm, por në 48 shtete mbetet ende i jashtëligjshëm. Sipas qeverisë federale, tregtia e kanabisit mbetet një krim i rëndë. Cilido që përfshihet në tregtinë e kanabisit me Shtetet e Bashkuara përballet me arrestim të menjëhershëm dhe ndjekje penale”, tha Lu.

Sa i përket gjuhës shqipe, Donald Lu ka thënë se e flet shqipen si një fëmijë. Ai është shprehur se ka mësuar shumë gjuhë të huaja, por se ke gjetur askund kompleksitetin dhe bukurinë e gjuhës tonë.
(a.n/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: