Ata që kanë besuar se propaganda u përket vetëm regjimeve totalitare, besoj se duhet ta rimendojnë edhe një herë nën dritën e komunikimit të sotëm. Është e vërtetë që propaganda nuk është e lehtë të dallohet sot, pasi nuk është bardhë e zi e as me tabela si të dikurshmet, në rrugë apo në tabela të posaçme ndërmarrjesh, ku vareshin fletërrufetë.
Së pari, propaganda, më shumë se sa të synojë bindjen për diçka të veçantë, kërkon të ndërtojë një botë dyshimesh dhe dekurajimi ndaj kujtdo që kërkon të gjejë të vërtetën. Këtu nis dhe spektakli për atë që do të fshihet nga propoganduesi, duke futur aty-këtu gjysmë të vërteta, që rrezikojnë të ndërtojnë idenë se ti vërtet ke informacion se çfarë po ndodh, por që e ke të pamundur ta dallosh fytyrën e së vërtetës.
P.sh, të vijmë në një pyetje konkrete që mori kaq shumë energji në rrjetet sociale e komentet politike: a e mori vesh njeri se kush e publikoi për herë të parë lajmin se Lea Ypi mund të jetë një drejtuese e qeverisë teknike që po kërkon prej kohësh opozita? Jo, sepse më e rëndësishme se sa ajo që thoshte Ypi, u bë ajo që thoshte Berisha, mediat dhe komentuesit. Spektakli ndodhi, madje në një skenë të komunikimit publik ku vetëm Ypi nuk u dëgjua për atë që thoshte, edhe pse këmbënguli disa herë që nuk kushte asnjë lidhje me lajmin që u përhap dhe debatua për të.
Por cila ishte gjysmë e vërteta? – që Lea Ypi ishte pritur në promovimin e romanit “Të lirë” nga vetë Rama dhe se bindjet e saj i përkasin së majtës europiane. Pra, lajmi mbështetej në atë që kishin shfaqur në publik Rama e Ypi gjatë prezantimit të librit të saj dy vite më parë.
Por, gjysmë e vërteta është vetëm njëra anë e devijimit nga e vërteta. Për ta bërë më spektakolare propagandën, nevojitet të hyjë në lojë edhe “Relativizimi i gjithçkaje”. Pra, duke relativizuar dhe duke thënë gjysmë të vërteta, manipulimi dhe propaganda ndërtojnë botën e spektaklit.
Kontrolli i mendimit publik ndërkaq vijon me ngatërresën me perceptimin. Kjo ngatërresë ndaj perceptimit të realitetit mbështetet, në shumicën e rasteve, në përsëritjen pa pushim të asaj që ka peshën e spektakolares.
A e kujtoni se sa ditë përsëriti Kryeministri Rama faktin se SPAK, sipas tij, po krijon një precedent të rrezikshëm, duke pezulluar një zv.kryeministre më detyrë? Por, a nuk ka këtë detyrë drejtësia, që të kufizojë pushtetin kur ai kthehet në paligjshmëri? Sepse nëse nuk ndalon të korruptuarit, drejtësia do të dukej se ka fuqi vetëm mbi të pambrojturit, të papushtetshmit dhe të varfrit. E për më tepër, qytetarët kanë shfaqur më shumë interes se si duhet të reagojë kryeministri për akuzat penale e ko për konfliktin kushtetues.
“Po ikëm ne, vjen Berisha!”, – thotë gjatë gjithë kohës Rama kur pyetet për skandalet e të zgjedhurve të tij dhe pastaj, në vend që t’i përgjigjet pyetjes se përse nuk e largon Ballukun, zgjedh t’i përgjigjet Blendi Fevziut, a thua se ky i fundit është fajtor për shkeljet në tendera, për punët shkel-e-shko dhe për mungesën e përgjegjësisë ligjore e morale të vartësve të tij.
Pra, dhe kryeministri, edhe kreu i opozitës më shumë se sa te sqarimi, fokusohen te shpërqendrimi i njerëzve përmes lajmeve të pavlera, përmes talljes dhe as nuk e mendojmë llogaridhënien.
Të dy zgjedhin bujën, por jo sqarimin. Duke zgjedhur bujën, qytetarët bombardohen me “gjoja-ngjarje”. Në lojë hyjnë lajmet rozë, lajmet për VIP-at, duke bërë që gjithçka të fokusohet në debate boshe. I gjendur përballë realitetit alternativ, të krijuar përpara syve të tij nga liderët politikë dhe media, qytetari e ka të vështirë, në mos të pamundur, të reagojë ndaj problemeve që ka ai vetë realisht, apo të dallojë atë që e prek atë në jetën e përditshme. Ndaj dhe gradualisht qytetari kalon në atë dekurajim të fortë që e bën mosreagues ndaj shkeljeve, talljeve, korrupsionit dhe të fortëve, pasi ai nis të besojë se kjo është normale.
Kështu, përballë fakteve të rremeve, gjysmë të vërtetave dhe spektaklit, qytetari nuk di më se kë të besojë dhe dalëngadalë i dorëzohet atij që ka ndërtuar narrativën për situatën.
Faktet janë të pafuqishme, pasi bindja ka bërë të vetën dhe askush nuk pyet – po kur ndodhi? Nuk ka më kërkesa nga qytetari- Na trego një foto, një mesazh, një takim!
E nëse nuk arrin dot të kryejë gjithë funksionin e vet kaosi për të vërtetën, atëherë propaganda fut në lojë diskreditimin e atij që i ka kërkuar llogari liderit. Edhe nëse nuk ka diçka në të shkuarën, dalin disa të besuar të liderit dhe tregojnë anën e errët të atij që ka kërkuar llogari. Propaganda nuk merret fare me thelbin e denoncimit, por me të shkuarën e denoncuesit, kritikuesit. Miqtë e llucës së ngrohtë bëhen bashkë, përbaltin këdo që kundërshton liderin dhe qytetari e ka të vështirë të kuptojë atë që ka ndodhur.
Po kush fiton kur askush nuk beson askënd?
Nën spektaklin e dekurajimit fiton ai që ka krijuar gënjeshtrën dhe humbet ai që kërkon të vërtetën dhe të drejtën. Dhe qytetari humb besimin te vetja se mund të ndryshojë realitetin, duke ia dhuruar fuqinë e tij vetëm pushtetit të atij që drejton në qeveri apo në parti.
