TIRANE

Rreth 40 studiues shqiptarë dhe të huaj të natyrës i kërkojnë qeverisë shqiptare të përfshijë në Parkun Kombëtar të Vjosës edhe Deltën e Lumit Vjosë, brenda të cilës është parashikuar të realizohet edhe projekti i dhëndrit të ish-Presidentit amerikan, Donald Trump. Për studiuesit, masterplani i qeverisë së Ramës për ndërtime në këtë zonë është maja e ajsbergut e shkatërrimit të ekosistemit, ndaj ata i bëjnë thirrje urgjente që të ndalë vizionin për projekte të turizmit masiv.

“I bëjmë thirrje qeverisë shqiptare të njohë rëndësinë ekologjike të kësaj zone delikate dhe ta përfshijë atë në Parkun Kombëtar të Lumit të Egër Vjosa, në përputhje me standardet e organizatës “Bashkimi Ndërkombëtar për Mbrojtjen e Natyrës”.

Së fundmi, qeveria planifikon ndertimin e nje resorti luksoz me Jared Kushner, dhëndrin e Donald Trump, në zonën e Zvërnecit, brenda deltës së Vjosës. Sipas masterplanit të qeverisë për zonën, kjo është vetëm maja e ajsbergut të planeve shkatërruese për këtë ekosistem delikat. Ndërkohë Aeroporti Ndërkombëtar i Vlorës, gjithashtu brenda Deltës, është tashmë në ndërtim”, thuhet në deklaratën e studiuesve.
Në një deklaratë, pas një jave shkencore në Deltën e Vjosës të studiuesve nga Shqipëria, Austria, Bullgaria, Greqia dhe Italia, thuhet se Delta e Vjosës përballet me shumë kërcënime prej vizionit të qeverisë shqiptare për turizëm masiv.

“Në mes të joshjes së turizmit luksoz, ne duhet të kujtojmë rëndësinë e pakrahasueshme ekologjike të deltës së Vjosës, një thesar unik në të gjithë Europën. Le t’i japim prioritet ruajtjes mbi zhvillimin”.

Një studim i ri tregon sipas organizatave mjedisore që Delta e Vjosës është një nga deltat e pakta të paprekura në Mesdhe. Nga 258 deltat dhe grykëderdhjet e lumenjve të vlerësuara në rajon, vetëm 4% e tyre, sipas studimit, janë në gjendje të mirë. Studimi thotë se Delta e Vjosës dhe deltat fqinjë të lumenjve Shkumbin dhe Seman në Shqipëri përbëjnë deltat e fundit të mëdha dhe dinamike, të cilat bartin vlerë të pakrahasueshme për të gjithë detin Mesdhe dhe Europën.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: