Partizani është kthyer ditën e djeshme në stërvitje për herë të parë që nga mbyllja e sezonit. Lojtarët dhe stafi janë mbledhur që të dielën, teksa dje është zhvilluar seanca e parë stërvitore. Ashtu si në takimin e dy ditëve më parë, edhe në këtë seancë kishte mungesa.

Një pjesë e lojtarëve pritet t’i bashkohen ekipit në ditët në vijim, ndërsa të tjerë nuk do të kthehen më, pas mbylljes së bashkëpunimit me klubin. Lojtarët nga Afrika si Sembene apo Bintsuka pritet të kthehen në ditët në vijim, teksa mbetet për t’u parë situata e kongolezit, të cilit në fund të këtij muaji i skadon kontrata.

Në plan për t’u kthyer janë edhe Podstrelov e Vujnoviç, por të dy me shumë mundësi do të largohen në rast se do të gjejnë akord me klubin. Sakaq, Gjergji Kote pritet të mungojë për disa ditë, pasi do t’i bashkohet grumbullimit të Shqipërisë U-21 për dy ndeshje miqësore. Këto seanca do të kenë tërësisht karakter fizik, me synimin që lojtarët të rrisin sa më shumë rezistencën dhe me kalimin e kohës të kapin edhe ritmin pas pushimeve.

Për momentin nuk është bërë me dije nëse skuadra do të dalë jashtë Tiranës për fazë përgatitore, teksa në vijim pritet që të zhvillohen edhe disa ndeshje miqësore, ku trajneri Gega do të qartësojë më shumë idetë i tij dhe do të vërë në praktikë edhe idetë mbi lojën.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb