Partizani nisi pas dy ditëve pushim përgatitjet për ndeshjen e radhës në kampionat që përkon me atë ndaj Flamurtarit në Vlorë.

Të kuqtë, vijnë me moralin lart pas dy fitoreve radhazi, sidomos pas derbit të fituar ndaj Tiranës, 2-0. Kryeqytetasit i kanë pikët jetike për të synuar vendin e katërt që mbahet nga Dinamo e që tashmë është vetëm katër pikë larg, ndërsa vlen të theksohet se pikët janë po aq të rëndësishme edhe për Flamurtarin që është në zonën e ftohtë të renditjes, saktësisht në vendin e tetë, kështu që në Vlorë pritet një ndeshje shumë e luftuar.

Sa i takon formacionit të mundshëm, pritet që në këtë takim të mos ketë shumë ndryshime në 11-tëshen e trajnerit Oltijon Kërnaja që do të propozojë sërish skemën 4-3-3. Në portë si zakonisht Qirko, ndërsa në mbrojtje Kola, Sembene e Bytyçi teksa në krah Atanaskovski. Në mesfushë, Hjuman, Ismaili e Qaka ndërsa përpara Isgandarli, Skuka dhe Sidibe në të djathtë.

Për këtë ndeshje do të mungojnë Buxhelaj dhe Dumbia, të dy të pezulluar për shkak të numrit katër të kartonëve të verdhë pasi u ndëshkuan në ndeshjen ndaj Tiranës.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb