Në 30-vjetorin e Lëvizjes Studentore të 8 dhjetorit 1990, Preç Zogaj, një prej intelektualëve që iu bashkua protestave masive rrëfeu në rubrikën “Opinion”, në News24, se çfarë ndodhi në atë kohë dhe si u vendos krijimi i Partisë Demokratike.

Zogaj tha se iu është bashkuar studentëve në ditën e dytë të protestave, ndërsa më 11 dhjetor u mor vendimi i zgjuar për të krijuar jo një parti studentore, por një parti popullore dhe që të ishte alternativë e Partisë së Punës.

Ndërkohë, sipas Preçajt, sot pas 30 vitesh nga ajo lëvizje masive, Shqipëria është ende përpara ëndrrës që kishin studentët dhe intelektualët e 1990-ës, pasi sipas tij, demokracia shqiptare ka dy produkte të tmerrshme.

“Sigurisht që pas 30 vitesh Shqipëria është përpara ëndrrës që kishim ne. Pra, Shqipëria i lirive, e të ardhurave për frymë, e veshjes dhe ushqimit, etj. është përtej ëndrrës sonë të dhjetorit, por është mbrapa kohës, sepse është pas vendeve të tjera. Kjo pasi demokracia shqiptare ka dy produkte të tmerrshme, e para, ne jemi një vend që prej vitesh nuk zhvillojmë zgjedhje dhe që atëherë ne nuk e imagjinonim dot. Nuk dinim shumë për demokracinë, por dinim zgjedhjet e lira. Mungesa e zgjedhjeve të lira është themeli i problematikës. E dyta, është që ka ndodhur një ngjarje, që populli me kalimin e viteve gjithnjë e më pak ka zë apo vendos, për të mos thënë që nuk vendos për asgjë. Pra, pas 30 vitesh, kemi prodhuar një gjë që mund të konsiderohet e rëndë, që është në kundërthënie me kuptimin e demokracisë. Populli në Shqipëri nuk vendos dot, sepse vendin e ka marrë peng pandëshkushmëria, madje është nën thundrën e pandëshkueshmërisë. Ndaj dhe zgjedhjet janë gjithmonë me njolla dhe populli nuk zgjedh dot as deputetë, as president”, theksoi Zogaj.

Ç’mund të na thoni për Lëvizjen Studentore…?
Unë kam shkruar një libër, ku kam pasqyruar shumë nga ngjarjet e asaj kohe, që përcaktuan atë që ndodhi më pas. Janë ngjarje të gjithë 30-vjecarit. Unë nuk kam qenë dëshmitar natën e 8 dhjetorit, sepse është ngjarje ekskluzivisht e studentëve, që organizuan tubimin drejt ndërtesave të pushtetit dhe u përballën për herë të parë me policinë. Kjo është përballja e parë e një numri të madh njerëzish me policinë në historinë tonë. Ata njerëz kërkonin lirinë. Atë natë kanë ndodhur ngjarje shumë të rëndësishme. Ramiz Alia është ngritur nga gjumi, ka bërë një takim me një grup studentor, në kthim ka ndodhur përleshja e parë mes policisë dhe studentëve, ku këta të fundit janë tërhequr pasi janë goditur. Të nesërmen kanë vazhduar protestat, Qyteti Studenti i shndërrua në një zonë të lirë, e para në atë kohë. Unë u bashkova me këtë lëvizje të nesërmen dhe të pasnesërmen. 8 Dhjetori është një ngjarje që thyen historinë, që është parapërgatitur nga disa ngjarje të tjera. I gjithë viti 1990 është mbushur me ngjarje, që kulmojnë me këtë. Kemi ngjarjet e famshme të ambasadave, që kishin rol të madh për të tronditur regjimin.

Më pas, ishte Konferenca e Shkrimtarëve, ishte një sallë me 500 delegatë që mbrojti arratisjen e Ismail Kadarenë. Të gjithë thërrisin emrin e të arratisurit, që nuk kishte ndodhur kurrë. Isha dhe unë që fola për Kadarenë. Unë u ftova nga Azem Hajdari, ku takova dhe të njohur të tjerë, të cilët më përfshin në grupin e shkrimtarëve, që i ftuan për ndihmë. Në mbledhjen e tyre isha dhe unë pjesë e grupit, që ngulmova që të çlirohej lista dhe të fokusohej te kërkesa politike.

Po Rama ku ishte ato ditë?
Rama, siç ka thënë vetë, ka qenë në Greqi. Më duket se ka qenë në Korfuz ose diku tjetër, me familjen e tij. Mungesa e tij në lëvizjen studentore ka shpjegim, pasi nuk mund të parashikohej se do të ndodhte më 8 dhjetor, por ajo që më ka intriguar me vendndodhjen e Ramës ka të bëjë me atë që ndodhi në sallën e Institutit të Lartë të Arteve po atë ditë. Ishte përkujtimi i John Lenon, ku guxuan disa studentë të mblidhen dhe ta përkujtonin dhe kjo ishte e përgatitur dhe ishte provokim ndaj regjimit. Dhe Rama, si ish-pedagog me rol të rëndësishëm, mungonte në këtë ngjarje që ishte e planifikuar. Dmth, 8 dhjetori për përvjetorin e John Lenon ishte i planifikuar, ndërsa ai i lëvizjes studentore jo. Është spekulim të thuash që gjeta aty disa komunistë, pasi të gjithë ata që u ngritën ishin për ndryshim të sistemit. Të gjithë ata që u ngritën atë ditë ishin kundër regjimit, edhe pse shumica ishin bij komunistësh. Edhe intelektualët që u ngritën për t’i mbështetur studentët ishin pjesë e regjimit. Ca do themi ne sot për pavarësinë, do të themi që nuk vlen, meqenëse e ka shpallur një deputet i Turqisë? Është e pavlerë. Kështu që akuza e Ramës se iku nga aty pasi ishin të gjithë të sistemit, më duket tërësisht spekulative. Në atë kohë u nda mendësia totalitare nga ajo demokratike.

Lufta e bërrylave vjen më vonë. Para 30 vitesh mendoj se intelektualët që ishin me studentët morën një vendim të zgjuar natën e 11 dhjetorit, kur u shpall pluralizmi. Nuk i lanë kohë Partisë së Punës dhe regjimit për manovra. Sapo u shpall pluralizmi i negociuar, njëlloj si Polonia, intelektualët dhe studentët në orët e vona të datës 11, ku ishin Sali Berisha, unë, Besnik Musfataj, Edmon Budina, Azem Hajdari, etj, vendosën të krijojnë një parti politike, jo një parti studentësh. Ata thanë se duhet një parti popullore, që të jetë alternative e Partisë së Punës dhe i pari Azem Hajdari tha se kjo është shumë e drejtë. Pra, krijimi i PD është një moment zgjuarsie për të mos lënë hapësirë për manovra. Me kalimin e kohës lufta për pushtet krijoi grupime, luftë të brendshme, që ndonjëherë është më e egër se lufta jashtë llojit.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb