Analisti politik Ergys Mërtiri ka reaguar në Facebook pas takimeve të zhvilluara sot nga Sali Berisha dhe Ervin Salianji, duke përshkruar situatën si një dramë brenda Partisë Demokratike.
Sipas Mërtirit, Berisha ka lajmëruar një foltore emergjente në Kombinat në të njëjtën orë kur Salianji zhvillonte takimin në Lezhë, një manovër që analisti e sheh si tentativë për të dubluar kundërshtarin dhe për t’i marrë kohën televizive.
Mërtiri vlerëson se Salianji, që prej nisjes së lëvizjes së tij politike, ka përcaktuar në çdo hap agjendën e Berishës, përfshirë protestat, foltoret në rrethe dhe analizën e zgjedhjeve pas humbjes. Ai kritikon sulmet e Berishës ndaj Salianjit, duke i cilësuar qesharake dhe kontradiktore: “Ai që pak javë më parë konsiderohej hero i burgosur politikisht nga regjimi i Ramës, sot shpallet armik e tradhëtar, bashkëpunëtor i Ramës për të shkatërruar opozitën,” shkruan Mërtiri.
Analisti thekson gjithashtu se pas thirrjeve për bashkim të spektrit opozitar, Berisha ka nisur një “aksion spastrimesh” kundër atyre që nuk morën postet e pretenduara ose nuk kontribuan në zgjedhje, duke treguar një çbalancim të rëndë të brendshëm të opozitës. Mërtiri përfundon me një krahasim ironik: sipas tij, politika e sotme e Berishës mund të krahasohet me skenat satirike të Koço Devoles, ku deri dhe demokratët që mbushin sallat mund të shpallen “armiq të partisë”.
