Një pjesë e aksit rrugor Elbasan-Cërrik do të jetë e bllokuar për disa orë gjatë ditës së sotme, për shkak të punimeve që po kryhen për riparimin e Kanalit “Naum Panxhi”.

Bëhet fjalë për segmentin Mjekës–Kuqan, në Njësinë Administrative Shirgjan, ku kanali ka pësuar dëmtime disa javë më parë.

Për ndërhyrjen në infrastrukturën e kanalit është bërë e nevojshme ndërprerja e përkohshme e qarkullimit në këtë pjesë të rrugës.

Për të shmangur krijimin e radhëve dhe vështirësitë në qarkullim, automjetet do të devijohen përmes itinerarit alternativ Kanali me Kama–Bugjes–Kuqan, duke mundësuar vijimin e lëvizjes drejt destinacioneve përkatëse.

Autoritetet lokale kanë bërë të ditur se janë në mbështetje të Policisë Rrugore dhe Policisë Bashkiake për menaxhimin e trafikut gjatë zhvillimit të punimeve dhe për garantimin e një qarkullimi sa më të sigurt dhe të pandërprerë.

Punimet pritet të vijojnë për disa orë, ndërsa qarkullimi në segmentin Mjekës–Kuqan do të rikthehet pas përfundimit të ndërhyrjes.

Drejtuesve të mjeteve që do të përdorin këtë aks u kërkohet të tregojnë kujdes të shtuar, të respektojnë sinjalistikën e vendosur në terren dhe të ndjekin udhëzimet e punonjësve të Policisë Rrugore dhe Policisë Bashkiake.

Autoritetet u bëjnë apel drejtuesve të mjeteve që, gjatë kësaj periudhe, të zgjedhin itinerarin alternativ dhe të shmangin lëvizjet e panevojshme në zonën ku po zhvillohen punimet.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: