Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, ka reaguar ndaj qëndrimit të kryeministrit Edi Rama për rastin e Erjonit, duke e akuzuar për degradimin e shtetit dhe dështimin e sistemit shëndetësor.
Zhupa thekson se Rama duhet të sqarojë se kush i urdhëron efektivët e Policisë së Shtetit të veprojnë në kundërshtim me ligjin dhe kush do të mbajë përgjegjësi për ngjarjen. Ajo kritikoi gjithashtu kryeministrin për paraqitjen e dërgimit të Erjoni për kurim në Romë si një akt bamirësie dhe mirësie të atij vetë, ndërsa sistemi shëndetësor shqiptar nuk arriti t’i ofronte zgjidhje.Zhupa u bëri thirrje qytetarëve të mbështesin studentët dhe të marrin pjesë në protestën e orës 14:00 para Ministrisë së Arsimit, duke theksuar se Edi Rama nuk mund të jetë zgjidhja, kur është vetë problemi.
Reagimi Ina Zhupës:
Edi Rama në çdo hap dhe në çdo qëndrim që mban është bërë pasqyra e degradimit të shtetit. Në rastin e Erjonit, të cilit i uroj me zemër shërim të shpejtë, ai fillimisht duhet të dilte dhe të thoshte kush e urdhëron Policinë e Shtetit që të sillet si miliçi serbe? Kush është ai që i detyron policët të mos zbatojnë ligjin po të zbatojnë urdhrat e Edi Ramës? Kush është përgjegjësi i drejtëpërdrejtë asaj ngjarje? A do të mbajë njeri përgjegjësi për atë ngjarje? Kjo është detyrë drejtëpërdrejtë e një kryeministri.
Ndërkohë, Edi Rama zgjodhi të shfaqej si një filantrop që dhuronte udhëtime shëndetësore në Romë me paratë buxhetit, kur fatkeqësisht sistemi shëndetësor shqiptar dështoi për ta kuruar Erionin. E futën në operacion dhe nuk i dhanë dot zgjidhje dhe ishin të detyruar ta dërgonin në Itali. Po pikërisht për këtë po protestojnë qytetarët shqiptarë, që sot kemi një shtet që nuk i përgjigjet dot nevojave të tyre. Edi Rama nuk mund të jetë zgjidhja kur ai është vetë problemi, kur ai me vendimmarret dhe me mosvendimmarret e tij e ka katandisur Shqipërinë në këtë gjendje që jemi sot. Ndaj, më shumë se kurrë duhet t’i mbështesim studentët. Duhet të jemi në krahë të tyre edhe sot në protestën që kanë në orën 2 para Ministrisë së Arsimit.
